Butrinti me PPP/ Neritan Ceka: Po grabitet pasuria, po sillen si Gadafi, ministrja gënjen

Nga Fatmira Nikolli
Profesor Neritan Ceka reagon ashpër për çështjen e Butrintit. Dy ditë më parë në Ministrinë e Kulturës u dorëzua nga shefi i bordit Fondi Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim”, Michael Granoff, “Plani i menaxhimit të integruar të Butrintit”. Me ç’rast ministrja Elva Margariti dhe Granoff folën për draftin në përgjithësi duke u ndalur tek anët pozitive sipas tyre.
Në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”, profesor Neritan Ceka, arkeolog i njohur analizon draftin dhe mënyrën si do funksionojë Butrinti për çka ka shumë kritika si për ministrinë edhe për Fondin.
Si njohës i mirë i trashëgimisë ai nuk e sheh me vend atë që po bëhet.

– Profesor është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës nga Fondacioni Amerikan i Zhvillimit, një draft i Menaxhimit të Integruar të Parkut të Butrintit. Ju si specialist i fushës, a jeni thirrur në ndonjë konsultim me palët?
Absolutisht asnjëherë. As unë që kam qenë drejtor i kërkimeve në Butrint në vitet 1970-1980, kur kam drejtuar krijimin e parkut arkeologjik të Butrintit dhe kur u restaurua teatri, gjimnazi, nymfeu, si dhe një pjesë e murit rrethues. Pastaj kam drejtuar kërkimet arkeologjike në Butrint në vitet 2004-2005 dhe kam disa botime për Butrintin. Nuk është thirrur as Auron Tare që është krijuesi i parkut në formën që ka marrë sot. Veç kësaj, ai është edhe anëtar i Këshillit të UNESCO në Paris, ku përfaqëson pasuritë botërore të Shqipërisë, pra edhe Butrintin. Kur tre vjet më parë nga Ministria e Kulturës u bë shpallja e këtij projekti në Muzeun Historik Kombëtar, ai deshi të fliste dhe nuk e lanë. Nuk është thirrur as Instituti i Arkeologjisë që vazhdon kërkimet pa ndërprerje, që nga viti 1970 me Dhimosten Budinën, Kosta Lakon, Richard Hodges dhe më grupin që punon tani nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga Universiteti i Maceratës. Janë miliona euro që janë investuar nga ekipet shkencore në Butrint dhe asnjëri prej këtyre nuk është thirrur. Pra, e gjithë kjo është një lojë dhe habitem se si më në fund nëndetësja pirate e Ministrisë së Kulturës doli mbi ujë për të grabitur frutet e kësaj pune 100 vjeçare.

– Dje ministrja përmendi ministritë e linjës dhe agjencitë në varësi, meqenëse Butrinti përfshin liqenin, etj. Dini gjë ju, nëse ndonjë specialist trashëgimie ka qenë pjesë e grupit të punës?
Ky projekt nuk ka të bëjë fare me liqenin. Bëhet fjalë për Parkun Arkeologjik, pjesë e parkut natyror, që është shumë më i gjerë. Përderisa prezantohet nga Ministria e Kulturës, ky projekt ka të bëjë vetëm me Parkun Arkeologjik dhe jo me atë natyror. Për cilët specialistë trashëgimie e keni fjalën, sepse Ministria e Kulturës nuk ka sot asnjë specialist? Ministria e Kulturës ka vetëm zyrtarë të emëruar nga hiçi, duke filluar nga drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, me drejtoritë rajonale që nuk janë specialistë. Ka një sistem prej gati 100 vetësh dhe nuk ka asnjë doktor shkencash, nuk ka asnjë që bën tema, nuk ka asnjë që shkruan artikuj.
Kjo shitet shumë lehtë tani në sitet e këtyre institucioneve, ku paraqiten përfaqësues të Fondacionit Amerikan Shqiptar, që e paraqesin projektin e tyre para asaj drejtoreshe dhe tre personave që nuk i njeh askush të jenë marrë ndonjëherë me arkeologjinë, pa lëre me Butrintin. Është e turpshme kjo skenë që na diskrediton para gjithë atyre që prej dekadash kanë punuar në Butrint, duke përfshirë edhe kolegët anglezë dhe italianë. Për më tepër draft projekti i është dhënë një studioje që quhet “Prince + Pearce”, e cila deri tani ka bërë vetëm një projekt për Volorekën. Për të thënë se sa bujarë janë, e vendosin vetë çmimin në 250 mijë dollarë. Dhe e vendos ai që do ta marrë si koncesion dhe kjo është në kundërshtim me ligjin. Kjo quhet një ofertë e pakërkuar dhe ky është një objekt për prokurorinë. Ajo zonja ministre, që del e flet me kaq kompetencë, unë kam frikë se do të përfundojë në prokurori këto ditë.

– Profesor, ju parimisht si e shihni që një fondacion bashkë me ministrinë, të menaxhojë Butrintin?
Unë dëgjova ministren dhe them se ajo gënjen në mënyrën më të paturpshme. Nuk është mirë që një zonje, t’i thuash se gënjen, por gënjen, gënjen, gënjen! Krahasimi që ajo bën me British Heritage, që kuron Stonehnege, është një model krejt tjetër. Fondacioni atje është 100% shtetëror. Fondacion British Heritage që menaxhon që nga Stonehenge dhe deri në Buckingham Palace, është shtetëror. Në fillim është financuar 90% nga shteti sot financohet 14%. Dhe vetëm me sistemin që ka krijuar, pra me biletat, me aktivitetet, librat etj, ka arritur që të mbulojë të gjithë kujdesin për monumentet në Angli. Mjafton të klikoni tek “British Heritage” dhe do të shikoni që është një strukturë e ngritur nga dashuria për arkitekturën dhe artin, nga përgjegjësia për ta bërë atë pronë të miliona anglezëve, por edhe turistëve të huaj, dhe jo nga dëshira banditeske për të grabitur një pasuri të krijuar nga breza arkeologësh e restauratorësh. Do të shikoni që vetëm “Stonehenge Environmental Improvements Programme” po mbështetet nga dhjetëra donatorë si : The Heritage Lottery Fund, The Monument Trust, The Wolfson Foundation, Fidelity UK Foundation, The Linbury Trust, The Headley Trust, Garfield Weston Foundation, etj.
Imagjinoni se çfarë monumentesh ka Anglia dhe të gjitha janë në gjendjen më të mirë të mundshme dhe të integruara në itineraret turistike. Këtë nuk mund ta bëjnë privatët, sepse parimi kryesor i tyre është fitimi me sa më pak investime. Kjo që bëjnë është një bandititizëm. Pra, zotërinjtë marrin vesh që vetëm nga biletat Butrinti ka fitim 1 milion euro në vit. Marrin vesh që është edhe rrumpallë, sepse vetëm nga vjedhjet e biletave janë bërë me shtëpi disa gjenerata drejtorësh të emëruar nga ministrat e kulturës. Pra, eja të krijojmë një fondacion me emrin e madh Amerikan Shqiptar (jo shqiptar-amerikan!), sepse në fakt aty vetëm M.Granoff është Amerikan, të gjithë të tjerët janë klientët e qeverisë dhe i kanë gati studiot dhe kompanitë që di të vijnë të marrin paratë. Pra, ky është një fondacion fantazmë, kjo është nëndetësja pirate me flamurin e zi, me kafkën edhe me kockat për arkeologjinë dhe për trashëgiminë shqiptare. Është një turp që po bëhet kjo gjë, në vend që të bëhet një Albanian Hertage, 100 % shtetëror, ku drejtori i fondacionit emërohet nga ministri i Kulturës, por bordi bëhet nga specialistë, jo nga zyrtare, jo nga rrogëtarë, jo nga të ashtuquajturat “institucione” ku nuk ka më asnjë profesor, asnjë doktor shkencash. Çfarë institucionesh kanë në varësi? I emërojnë vetë dhe i bëjnë pjesë të rrjetës së biznesit të tyre. A e dini ju që në Durrës, është emëruar drejtor i Trashëgimisë, ai që ka qenë drejtor i spitalit. Kjo është një katastrofë. As në kohën e Sulltan Hamitit nuk ka qenë kështu gjendja e monumenteve në Shqipëri. Me ardhjen e këtyre dy zonjave i kanë vënë ferrën tërësisht trashëgimisë kulturore.

– Profesor, ideja për një menaxhim me fondacion në Butrintit, ka nisur shumë herët…
Ka nisur tre vjet më parë vjet dhe është plan mafioz, nga një Fondacion Amerikan Shqiptar, që ka lënë nam në Gjirokastër. Demek sikur restauruan Pazarin e Gjirokastrës me fondet e tyre. Kam parë dhe dokumentuar me foto dhe film mënyrën se si punonin me mjete me zinxhir mbi kalldrëmet e qytetit. Se si shkatërronin me ekskavator kanalizimet dhe ndërtesat e shek XVI-XVII që ruheshin nën ato kalldrëme. Sipas ligjit këto punime duhet të miratoheshin nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe duhet të ndiqeshin nga arkeologët e fondacionit dhe të Drejtorisë rajonale. Askush prej tyre! Sepse z.Granoff, mik i të gjithë kryeministrave, ministrave e deputetëve, preokupimin më të vogël ka ligjin shqiptar. E shkel, e ndërron si dhe kur i do qejfi. Dhe në fund, a e dini çfarë ndodhi? Për herë të parë në kaq shekuj u përmbyt pazari i Gjirokastrës. Në çdo vend të qytetëruar, me një traditë të gjatë të kujdesit për trashëgiminë kulturor, ky fondacion do të ishte mbyllur dhe jo t’i jepet Butrinti.

– Kreu i bordit të Fondacionit Michael Granoff tha para mediave të martën se “kuptuam që nuk duheshin hedhur më shumë para, por duhej një ide tërësisht e re, e kjo na çoi tek një ligj i ri që do ta bënte të mundur një plan të tillë menaxhimi”. Ai shtoi se, “nuk di të ketë shumë organizata të tjera që kanë aftësinë që të kenë një partneritet kaq të mirë me ministrinë dhe me qeverinë për të krijuar një ligj të ri që ofron arkitekturën dhe mundësinë e organizimit dhe menaxhimit të Butrintit në mënyrën më të mirë për Shqipërinë”…Pra, ka nisur ideja më herët?
Nuk po e komentoj frazën, sepse është një përçartje në një fushë që zotëria nuk ja ka idenë, pale të propozojë modele të reja menaxhimi. Pse nuk e shpjegoi, se çfarë organizate ka ai? Ç’është kjo organizatë bamirëse që vjen dhe na merr 1 milion euro në vit? Unë do të pyesja përse nuk e shpallën për tender përmes Ministrisë së Kulturës planin e menaxhimit të Butrintit. Pse 250 000 dhe jo 150 000, apo 300 000 dollarë? Po të klikoni te Parku Arkeologjik i Pompeit, e keni gati planin e menaxhimit të tij për 10 vjet, të miratuar nga UNESCO, që është njësoj si Butrinti. Dua të theksoj me këtë rast që arkeologjia në Shqipëri festoi 100-vjetorin e fillimeve në Apolloni, ndërsa Butrinti 90-vjetorin. Butrinti është vepër e pesë gjeneratave dhe është qesharake që një plan i menaxhimit të tij të bëhet nga një Fondacion diletantësh, pa kurrikula, pa libra, pa vepra shkencore. Kultura që kemi krijuar ne këtu është e pakrahasueshme me çikërrimat që bën ai fondacion. Rregullon pazaret dhe vjen të marrë Butrintin. Kjo është puna e atij kovaçit që nxirrte dhëmbët në fshat meqë kishte një darë. E pastaj t’i japim të bëjë një operacion zemre? Kjo është një turp. Ajo që ka bërë ky Fondacion, që korrigjon ligjin, “paguan” studio joprofesionale dhe pastaj merr përsipër menaxhimin, kjo vetëm në Shqipëri, edhe në ndonjë vend të thellë të Afrikës, mund të ndodhë. Pse nuk e bën zotëria në Angli, për shembull, në Francë, e në Itali? Dhe krenohet se e ndryshoi ligjin nga që ka marrëdhënie të mira me kryeministrin. Në se është serioz dhe do të ndihmojë Butrintin, të bëjë atë që bënë Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury, që themeluan Butrint Foundation në vitin e vështirë 1993, me arkeologët më të shquar anglezë e shqiptarë, me rezultate të shkëlqyera shkencore e muzeale.

Kjo është turp, për një vend që gjendet para dyerve të BE, por ku vepron ende praktika Mobutut, apo Gedafi. Deri në ardhjen e zonjave bionde në krye të Ministrisë së Kulturës kishim një institucion modern në krye të trashëgimisë kulturore, por që u shkatërrua, për t’i hapur rrugën grabitjes. Ishte Instituti i Monumenteve të Kulturës, që drejtohej nga gjigantë të shkencave të restaurimit si dhe historisë së artit e arkitekturës, si Gani Strazimiri, Emin Riza, Aleksandër Meksi, Gjerak Karaiskaj, Hasan Nallbani, Apollon Baçe, Pirro Thomo, etj. Në krahasim me ata, zyrtarët e emëruar nga ministret bionde dhe partnerët e tyre të Fondacionit janë pupla që do të shpërndahen nga era e drejtësisë.
GAZETA SHQIPTARE