Butrinti me koncension? Tare kundërshton: S’mund t’ua japim të huajve, rrezikohet identiteti

12/09/207:22

Shperndaje:


Ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare kritikon planin e qeverisë për t’ia kaluar në menaxhim Butrintit një subjekti të huaj. Z. Tare tha se, prej shumë kohësh ka shprehur këtë shqetësim bashkë me një numër të madh arkeologësh. Sipas tij, dhënia në menaxhim për një fondacion të huaj është mënyrë e gabuar për të menaxhuar pasurinë e vendit.
Tare u shpreh se, Butrinti deri tani ka qenë një model suksesi në Shqipëri pasi i ka mbijetuar zhvillimit duke mos lejuar ndërtime brenda parkut dhe nga ana tjetër ka pasur të ardhura të konsiderueshme, duke përmendur dhe një shifër prej 1.5 milionë euro të ardhura në vit.

“Butrinti sot konsiderohet si modeli më i suksesshëm që ka pasur trashëgimia kulturore. Dhënia në menaxhimin për një fondacion të huaj nuk ka sens ose duhet shpallim që ky model është i dështuar ose ka diçka që kërcet dhe nuk bën sens”, u shpreh z. Tare.

Historiani thotë se, një praktikë e tillë nuk ndiqet në asnjë vend tjetër të Evropës dhe mund të praktikohet vetëm në vende në rrezik apo që janë në luftë. Ai propozon të ndiqet shembulli i Anglisë që ka krijuar fondacion për menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

Z. Tare ngre dhe problemin e konfliktit të interesit pasi Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka kontraktuar dhe mbështetur financiarisht një kompani angleze “Prince and Pearce”, për të hartuar planin e menaxhimit të integruar të Parkut të Kombëtar të Butrintit.

“Nuk kemi luksin që t’ia japim të huajve në menaxhim Butrintin. Trashëgimia ka nevojë për një vizion të ri menaxhim. Në burokracinë e shteti shqiptar ka shumë pengesa në menaxhimin e trashëgimisë shqiptare. T’i mund të japësh një port me koncesion, por nuk mund të japësh trashëgiminë kulturore. I gjithë problemi nis me ligjin dhe krijon premisat që vetë AADF të krijoi një plan menaxhimi dhe ka një problem të madh me konfliktin e interesit”, u shpreh z. Tare.

Sipas tij një veprim i tillë mund të kthehet në precedent dhe të tjera fondacione të huaja të kërkojnë të menaxhojnë pasuri të trashëgimisë sonë. Ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit tha gjithashtu se, vitet e fundit nuk kanë munguar investimet në trashëgiminë kulturore, por problemi ka çaluar tek menaxhimi, shkruan Euronews.

“Kemi rastin e Finiqit, 10 km nga Saranda dhe nuk shkon njeri. Është një nga vendbanimet më të lashta në Ballkan. Problemi është rënia e autoritetit të Institutit të Monumenteve, pasi fatkeqësisht është futur çështja e tenderëve brenda në trashëgimi dhe kjo ka ulur cilësinë e restaurimit. Fakti që turizmi është rritur ka një mundësi që ku turizëm të orientohet drejt këtyre monumenteve”, përfundoi z. Tare.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.