Apostol Qendrothanasi, kryetari i Bashkisë Sarandë që e hodhi vulën në det

26/11/2113:02

Shperndaje:

Apostol Qendrothanasi, kryetari i parë i Bashkisë Sarandë, lindi në Piqeras në vitin 1868.

Apostol Qendrothanasi pasi mbaroi shkollën tregëtare në Korfuz, emigroi në Stamboll. Në vitin 1901 emigroi në Amerikë duke përshkuar rrugën nga Athina në Napoli në Amerikë. Kthehet nga Amerika në dhjetor të vitit 1911, ku filloi të merrej me tregëti. Fliste gjuhët Turqisht, Persisht, Greqisht Anglisht, Italisht dhe Frëngjisht.

Apostol Qendrothanasi ka patur detyrën e kryeplakut në qytetin e Sarandës prej vitit 1917 deri në vitin 1921, ku fitoi respektin dhe dashurinë e këtij komuniteti. Me krijimin e Bashkisë në vitin 1922, ky komunitet e zgjodhi dhe rizgjodhi Apostolin Kryetar Bashkie, detyrë të cilin e mbajti deri në vitin 1940, duke qënë drejtuesi i parë demokrat i qytetit pas pushtimit turk.

Gjatë kohës që ishte Kryetar i Bashkisë ka patur një kafene e cila quhej kafeneja e Apostolit, por që populli i thoshte edhe kafeneja “Pëllumbi i Paqes”, e cila shërbente më tepër për bamirësi, se sa për burim të ardhurash.

Në vitet 1932-1933 ai udhëhoqi dhe kryerjen e punimeve urbanistike për qytetin e Sarandës, nën drejtimin e arkitektit austriak i ngelur nga lufta e Parë Botërore. Nëpërmjet tij ai ndërtoi dhe ruajti me fanatizëm shkallaret e rrugëve, shëtitoren, molin, lartësitë e banesave, të cilat tashti në kohën e demokracisë kanë ngelur si relikte nga e kaluara.

Apostoli si kryeplak dhe Kryetar Bashkie gjatë gjithë kohës ka punuar me dinjitet, i përgjegjshëm për detyrën e ngarkuar, i predispozuar për të ndihmuar shtresën me të ardhura të pakta, e mbi të gjitha për vendosjen e drejtësisë në problemet që i takojin atij. Ishin këto veti të Apostolit, që ai të zgjidhej nga populli si kryeplak për katër vjet dhe kur Saranda u bë bashki, të zgjidhej për tetë vjet Kryetar Bashkie deri në vitin 1940.

Në punët e tij Ai udhëhiqej jo vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit, por e gërshetonte atë edhe me zakonet, traditën dhe ligjet zakonore, duke mbyllur edhe ndonjë dritare për abuzim që mund të linte ligji, ku parimi baz i tij ishte që interesi i përgjithshëm të ishte gjithmonë mbi atë personal, qoftë duke prekur dhe interesin e tij personal.

Ai hynte në atë specie njerëzore që flisnin pak; flisnin kur duhej dhe ku duhej dhe bëheshin skllevër të fjalës së dhënë. Nuk mendonte asnjëherë për interesin e tij personal, në përfitime të pa drejta, e aq më tepër në qoftë se kjo do të prekte interesat e të tjerëve ose të komunitetit. Ai nuk e njihte bakshishin dhe rushfetin dhe ishte i pa komprometueshëm, për tu krijuar të tjerëve favore në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe ligjeve zakonore. Ja dy rastet që tregojnë për karakterin e pamposhtur dhe vlerat njerëzore të tij, pavarësisht nga presionet psikologjike dhe përpjekjeve për ta kompromentuar me para.

Në një moment kur një pinjoll i një beu në Gjirokastër mbyti me dashje të fejuarën e tij në gjirin e Sarandës, Apostoli e burgosi dhe insistoi me vendosmëri në dënimin e tij, pavarësisht se në lojë u futën Prefekti, Prokurori, gjykatësi, Komandanti i policisë së Qarkut dhe shumë franga ari, për ta mbyllur këtë histori si një ngjarje aksidentale. Apostoli morri letrën që kishin përgatitur për ta firmosur, vulën, e i shoqëruar nga gjithë eksorka që kërkonte që djali të dilte i pafajshëm, shkoi në breg të Limanit. Në prezencën e popullit dhe eskorkës që e shoqëronte, e hodhi letrën dhe vulën në det, duke u treguar që kjo është firma e tij. Nxori çelsat e zyrës dhe ia dorëzoi Prefektit duke i thënë se nga sot e tutje nuk do të ishte më Kryetar Bashkie. Ky akt bëri një përshtypje të madhe në popull, i cili e rizgjodhi prap kryetar bashkie Apostolin.

Rasti tjetër ishte kur ai dha dorëheqjen si Kryetar Bashkie në vitin 1940, si protestë kundër pushtimit fashist italian, për të mos bashkëpunuar me ta.

Vdiq në shkurt të vitit 1943 dhe varrimi u bë në Piqeras. Në varrin e tij, familjarët vendosën dhe vulën e bashkisë, për ta marr atë në përjetësi.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.