Vajzë amerikane valëve qan e zeza qan e mjera qan e zeza qan – Nga Piro Naçi

05/09/2017:31

Shperndaje:


Saranda ja ka për borzh amerikanes….Ajo nuk është as politikane dhe as diplomate dhe as e ditëve tona. Ndoshta humanizmi i saj dhe pjestarëve të tjerë të familjes mbartin për brenda diçka më shumë se të qënit politikan apo diplomat…Ishin të parët amerikanë që një pjesë të jetës së tyre e ndanë me banorët e Santi Quaranta siç e shqiptonte ajo në librin me kujtime ‘’My Life’’ të botuar më 1927. I gjithë vendi ishte në varfëri… Por ‘’varfërinë’’ më të madhe ajo e kishte brenda vetes së saj. Νë atë peridhë ajo meditonte- ‘’Ose duhet ti jap fund jetës ,ose duhet të gjejë mënyrën për të jetuar, pamvarësisht agonisë së pandërprerë që më zhgryen për brenda.’’

Me këtë gjendje të brishtë shpirtërore në verën e 1913-tës mori rrugën për në Sarandë…Por, kush ishte kjo zonjë?…

Isidora Duncan ( 27 maj 1877-14 shtator 1927) kërcimtarja e cila njihet në mbarë botën si ‘’Nëna e kërcimit moder’’ ose ‘’Kërcimtarja këmbëzbathur’’. Lindi në San Francisko në një familje me shumë fëmijë. Filloi karrierën e saj të vallëzimit në një moshë shumë të hershme duke dhënë mësime në shtëpinë e saj për fëmijët e lagjes, dhe kjo vazhdoi gjatë viteve të adoleshencës. Qasja e saj e re ndaj vallëzimit ishte e dukshme në të cilën ajo ndoqi fantazinë e saj për të improvizuar dhe duke interpretuar çdo gjë të bukur që i vinte në kokë. Filozofia e kërcimit u largua nga teknika e ngurtë e baletit dhe çoi drejt asaj që ajo e perceptoi si lëvizje natyrale. Riktheu kërcimin në formë të lartë arti, në vend të argëtimit të thjeshtë, ajo u përpoq të lidhte emocionet me lëvizjen. ‘’Kam kërkuar ditë e netë të gjata në studio duke kërkuar atë vallëzim që mund të ishte shprehje hyjnore e shpirtit njerëzor përmes lëvizjes të trupit’’- shprehej ajo. Duncan mori frymëzim nga arti antik grek dhe e ndërthuri atë me dashurinë për liri në interpretim dhe konceptim . Për model kishte detin si një frymëzim të hershëm në lëvizjet e saj. Besonte se lëvizja e kishte origjinën nga pleksusi diellor për të cilin mendonte se ishte boshti i të gjithë lëvizjeve. Kjo filozofi dhe teknikë e re e kërcimit i dha Isidorës titullin e Krijueses të vallëzimit modern.

Nga mosha 22 vjeçare jetoi dhe vallëzoi në Evropën Perëndimore dhe në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1921, pas përfundimit të Revolucionit Rus, Duncan u zhvendos në Moskë ku takoi poetin e mirënjohur Sergei Yesenin i cili ishte 18 vjet më i ri. Më 1922, ata u martuan dhe Yesenin e shoqëroi atë në disa turne në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Duncan ka tërhequr vëmendjen letrare dhe artistike nga vitet 1920 deri më sot, në romane, filma,balet,muzikë dhe poezi.

Lindi dy fëmijë, i pari më 1906 nga regjizori dhe aktori i teatrit Gordon Craig dhe i dyti më 1910 nga Paris Singer , një nga djemtë e manjatit të makinës qepse Singer . Të dy fëmijët u mbytën në vitin 1913, kur makina që udhëtonin ra në Sienë. Kjo ngjarje tragjike i solli lëndime të mëdha shëndetësore sidomos në aspektin psikologjik. Pas aksidentin Isidora kalo disa kohë duke u rikuperuar në Korfuz së bashku me vëllain dhe motrën e saj. Këtu fillon edhe lidhjet e saj me qytetin e Sarandës. Raimond,vëllai i saj së bashku me gruan e tij Pinellope kishin shkuar në qytetin përballë Korfuzit për të ndihmuar njerëzit e raskapitur dhe fëmijët e uritur.

Si mund të qëndrosh këtu me dhimbjet egoiste të tua-Hajde të ndihmojmë fëmijët e urritur dhe të ngushëllojmë gratë e shkreta… Thirrjet e ngrohta më bërën ta ndjek atë drejt Shqipërisë, shkruan në kujtimet e saj. Jetonim në një çadër afër detit. Çdo ditë me lindjen e diellit futeshim në det dhe notonim. Në Sarandë nuk kishte flokëtore dhe për herë të parë në jetën time preva flokët vetë dhe i hodha në det…

Shqipëria ishte një vend i çuditshëm dhe tragjik. Kam parë shumë pamje tragjike. Një nënë ulur poshtë një peme me foshnjën e saj në krahë dhe katër fëmijët e tjerë të uritur dhe të pa strehë.Shtëpia ju dogj, burri dhe babai u vranë nga turqit,tufa e bagëtive u vodh, të korat u shkatëruan. Tek këta njerëz shpërndanim së bashku me Raimondin thasë të tëra me patate. Por kjo nuk harinte. Rajmondi kishte metoda të tjera origjinale për të ndihmuar njerëzit. Shkoi në Korfuz dhe bleu lesh të papërpunuar dhe e solli në Santi Quaranta.

Si do ti ushqejmë këta njerëz me lesh? –e pyesnim. Prisni dhe do të shihni përgjigjej ai. Nëse do ti sillja bukë ajo do të mbaronte brenda ditës, por unë do të sjell materjal të tillë për ti siguruar të ardhmen. Shkroi një tabelë aty në anë të detit ku mblidheshi të gjithë njerëzit …’’Kush dëshiron të tjerrë lesh do të marrë një dhrahmi në ditë’’. Shumë shpejt u formua një varg grash të varfëra, të dobëta dhe të uritura. Me dhrahmitë ato do të blenin misër të verdhë që shiste Qeveri Greke në portin e vogël të qytezës. Së shpejti u krijua një linjë e madhe me shumë gra në anë të detit .Rajmondi shkoi në Korfuz porositi disa tezgjah dhe i solli në Sarandë. Tashmë ai i mësoi gratë ashtu së bashku gjatë punës të këndonin dhe të lumturoheshin. Punimet e tezgjahut i dërgonte në Londër dhe merte një përfitim të madh. Me fitimet hapi një furrë dhe shiste bukë të bardhë me 50 % çmim më të ulët se ajo që blenin në portin e qytetit.

Të gjitha këto futën në shpirtin e Isidorës një lumturi të çuditëshme dhe bënë të meditonte përsësi si në fillim të udhëtimit për në Sarandë…’’Fëmijët e mi kishin ikur, por kishte të tjerë fëmijë të vuajtur dhe të urritur…Mund të mos jetosh për këta fëmijët e tjerë’’?…

Shëndeti dhe forcat po riktheheshin dhe së bashku me to po rilindëte për brenda edhe jeta artistike…Duncan pas humanizmit dhe shpresës për të jetuar që ajo dha dhe mori në ato dhjetra e qindra vajza, gra, fëmijë dhe qytetarë të Sarandës, mori rrugët nëpër botë për të shpërdarë kulturë, dije dhe lumturi. Mbarë bota e vlerësoi duke i dhënë titullin ‘’Nëna e vallëzimit modern’’.

A mund të kishte edhe në Sarandë një rrugë ,një shesh, një përmendore një vepër arti në anë të detit ose ose e gjithë shëtitorja ti kushtohej familjes dhe emrit të saj ? – ‘’RAIMOND dhe ISIDORA DUNCAN’’.

Një pyetje, një mendim, pse jo një kërkesë që i drejtohet edhe Kyetarit të Bashkisë së qytetit me këtë thirje publike, thjesht për ta protokolluar këtë ide këtë propozim. Realizimi do të vijë natyrshëm ndoshta sot ndoshta dhe nesër, ndoshta edhe mund të mos të bëhet. Thjesht, Saranda nuk haron!!! Saranda inspirim i baletit modern… Mundësisht përgjigja të jetë publike.

Do të ishte me interes edhe Ambasada Amerikane në Tiranë në bashkëpunim me organet lokale të qytetit mund të organizojë veprimtari për promovimin e humanizmit të familjes Duncan. Janë nga të parët ‘’politikanë’’, ‘’diplomatë’’, humanistë amerikanë që selinë e tyre e ngritën buzë detitit, në një çadër e në mes të atyre njerëzve të dërmuar nga lufta. Mezazhe të forta që akoma edhe sot frymëzojnë dhe nuk i harijmë dot.

Ndoshta në çdo 14-të shtator në ditën e vdekjes së kërcimtares së madhe një tufë me lule në gjirin e Sarandës do të kishte simbolikën që i përkon. Isidora vdiq dhe u dogj, hiri i saj u vendos pranë varit të fëmijëve në varezat Pere Lachaise në Paris por flokët e saj të prerë më 1913-tën ndoshta janë fosilizuar dhe bërë një me brigjet shkëmborë të Sarandës. Ajo mbart për brenda pjesë të trupit …AND-në e saj.

Me historinë e Isidorës mar shkas për të hapur një parantezë për sa i përket vendosjes apo aplikimit të artit bashkëkohor në hapësirat publike siç mund të jetë një vepër arti për Duncan…Sa bukur do të ishte një platformë në mes të gjirit në foremë Fari, ose diku në det duke formësuar figurën e kërcimtares duke hedhur flokët e prerë në det…Ka sat ë duash variante…

Në Sarandë këto tre dekadat e fundin ndoshta janë bërë përpjekje por akoma kjo është një fushë e pa shkelur. Mjafton ti hedhim një sy emrave të rrugëve dhe objekteve të artit dhe do të shikojmë se jemi shumë larg kërkesave të kohës. Saranda duhet të zgjohet nga gjumi provincializmit të saj. Ka nevojë të ketë dhe të rruajë identitet , por të kthejë sytë edhe nga koncepti modern dhe bashkëkohor në hapësirat publike dhe urbane për ti dhënë karakterin e një qyteti modern.

Ajo ka bërë here pas here ndërhyrje ‘’plastike’’ që i ka ndryshuar fytyrën. Jo për të kënaqur qytetarët dhe të dashurit e saj por për të joshur të ‘’dashuruarit’’ e rastësishëm. Thjesht kërkohet pak ‘’çmënduri’’, kulturë, dhe dëshirë për ta bërë më të bukur. Të pëlqehet së pari nga ne që dashurohemi me të dhe jo nga ata që e duan thjesht për një ‘’one night stand’’.
Pirro Naçi 5/9/2020


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.