Saranda, një nga destinacionet e preferuara dhe të këshilluara nga të huajt

07/08/1612:55

Shperndaje:


12924399_547742758730714_1105914201589831496_nNga Gentian SHAMETI
Saranda vlerësohet për afërsinë me Korfuzin (udhëtimi është i lirë), por edhe sepse ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, duke e rekomanduar si një destinacion “must”, janë nga Britania e Madhe. Referojnë se akomodimi në natë mesatarisht kushton 40 euro, ndërsa në përgjithësi, çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare. Pjesa më e madhe e atyre që rekomandojnë hotelet në Sarandë janë familjarë, me origjinë britanike dhe italiane. Hotelet vlerësohen për raportin mes çmimit dhe shërbimit. Në komentin e tij për qëndrimin në një nga hotelet e përmendura, një turist nga Rusia shkruan: “Qëndrim i këndshëm. Dhoma të pastra, me hapësira të bollshme, dy ballkone dhe dy banja. Lidhje e tmerrshme me WiFi dhe vetëm një nga dy kondicionerët punonte. Mëngjesi ishte i mirë. Stafi na shërbeu mëngjesin edhe ditën që ne u larguam. Vërtet miqësorë”. Ndërsa një turist nga Londra e përshkuan kështu qëndrimin e tij prej 9 netësh në një nga hotelet e vlerësuara nga TripAdvisor në Sarandë: “Hoteli gjendej në qendër të qytetit. Është shumë i pastër dhe komod, mëngjesi i mirë. Por, kujdesi ndaj klientit duhet përmirësuar. Në recepsion askush nuk të ndihmonte me çështje të ndryshme të organizimit, si: ekskursionet, gjetja e një taksie etj…”. Një tjetër turist britanik shkruan për një nga hotelet në Sarandë: “Nuk mund ta justifikoj klasifikimin me 3 yje për çmimin që kishte ky hotel. Mëngjesi ishte zhgënjyes. Megjithatë, nuk është se ishte ndonjë gjë më e mirë në Greqi, por të paktën nëse thua me 3 yje, duhet të ketë një gamë më të gjerë pijesh sesa thjesht ujë dhe ca lëngje frutash”. Nga 88 restorantet që janë te TripAdvisor për Sarandën, vetëm 5 prej tyre kanë marrë certifikatën për ekselencë. Restorantet e qytetit bregdetar jugor vlerësohen për ushqimin e shijshëm, të gatuar mirë dhe të servirur me shije moderne. Por, të huajt nuk stepen të vënë në dukje edhe “truket” që përdorin shpesh kamerierët shqiptarë kur përballen me të huajt. Një turist nga Long Beach Kalifornia thotë: “Ne nisëm të porosisnim një kane me verë shtëpie, por kamerieri na sugjeroi një shishe vere shqiptare, e cila kishte të njëjtën çmim. Në fund fatura na erdhi 2,200 lekë (rreth 17 dollarë). Vështirë të besosh se një kanë me verë shtëpie ka pasur të njëjtin çmim”. Ndërsa një turist nga Stokholmi i Suedisë shkruan kështu për përvojën në një nga restorantet e Sarandës, gjatë qëndrimit të tij dy javë më parë: “Pata pritshmëri të larta, por që për fat të keq nuk m’u përmbushën. Shërbimi ishte i ngadaltë (Welcome to Albania) ushqimi ishte i pakët. Vera ishte e mirë, por secila shishe kushtonte rreth 3,000 lekë”.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.