Presidenti Meta dekoron djaloshin nga Piqerasi që zbrazi revolverin mbi Perandorin

27/05/2013:31

Shperndaje:


Kreu i shtetit vlerësoi sot heroin e popullit Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin e atdhetarit antifashist.
Por kush ishte Vasil Laçi?
Më 17 maj 1941, 19-vjeçari nga Piqerasi Vasil Laçi, i veshur me një kostum kombëtar shqiptar sulmoi makinën e cila transportonte Viktor Emanueli III në Shqipëri.

Ngjarja ndodhi në rrugën e Durrësit kur Viktor Emanueli i III-të kishte mbaruar vizitën e tij shtatë ditore në Shqipëri.
Ai qëlloi katër herë duke thirrur “Vdekje Fashizmit”, por pa mundur të vrasë perandorin. Laçi u arrestua menjëherë dhe u ekzekutua me varje dhjetë ditë më vonë.

Ilir Meta shprehet se madhështia e vërtetë e gjestit të Vasil Laçit është se ai u mëson brezave edhe sot që një njeri i vetëm mund të kontribuojë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Sipas tij çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie.

“Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli. Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie. Ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet.

Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja.

Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë, dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejtë së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë” tha Meta.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.