Përsëri në Sarandë… Nga Evis Cerga

02/06/2010:01

Shperndaje:


Nuk ndal në Gjirokastër, ndonëse do të më pëlqente. Herë tjetër, them edhe kësaj here. Sepse Gjirokastra e do vëmendjen e saj për vete dhe nuk mund të jetë një kalim anash i historisë së saj.
Cdo rrugë që shkel kthehet në një kujtim. Madje edhe kur të njejtën rrugë e përshkoj sërish. Emocione të reja për cdo rrugë, sado e vjetër, sado e shkelur.
Jugu i Shqipërisë. Udha, ngadalë, si në përgjumje nga një pandemi tradhëtare shpalos hiret e veta, ku të bukura e natyrore, ku të shëmtuara, aq të shëmtuara sa mund t’i bëjë dora pa emocione e pa dhembje për bukurinë e qyteteve që e mbajtën hijeshinë e natyrës pa e ditur që një ditë do të “zhvilloheshin” nga duart e njerëzve (jo) të saj.

Nuk ndal në Gjirokastër, ndonëse do të më pëlqente. Herë tjetër, them edhe kësaj here. Sepse Gjirokastra e do vëmendjen e saj për vete dhe nuk mund të jetë një kalim anash i historisë së saj.
Ndaloj në kishën e vjetër në vendin me emrin Qafa e Muzinës. Më bën përshtypje fjala “qafë“, qafë Bota, qafë Gjashta, qafë Shtama. Automatikisht më vijnënë mend shprehjet “thefsh qafën”, “më pac në qafë“, “mos më merr në qafë“. Sa pathos ka populli! Se ne popullin e kemi përdorur gjithmonë për të nxjerrë mendimet personale, si paketë për tua servirur atyre që i kanë qejf ato.

Kisha e vjetër nuk më sjell asnjë befasi. Pikërisht këtë u pëlqej kishave. Mungesën e befasisë. Bari është i qullur nga vesa dhe porta gjysëm e hapur ka gërvishtjen karakteristike të portave të pa vajisura. Karriket e marra nga ndonjë kinema nuk kanë besimtarë. Madje as qirinj nuk gjeta kësaj here, për të ndezur një mendim. Ikonat qëndronin në vendet e tyre. Ashtu qëndrojnë ikonat. Dhe shkrep një fotografi për ta mbajtur në memorie portën e pavajisur, por edhe veten atë cast që vjen tek njerëzit e tillë, si memorie.

Teksa i drejtohemi Sarandës, perëndimi që ka përflakur qiellin i jep rrugës romanticizmin e videoklipeve të viteve 80-të. Ndërsa mua më kujtohet filmi “Dy herë mat”. Gjithmonë më kujtohet ky film, sa herë hyj në Sarandë. Pikërisht momenti që hap filmin. Një punëtor komunaleje, dembel me gjasë, që rri gjithë ditën ndanë rrugës për ta shtruar, një ekspert midhjesh që nxiton ta shohë veten në një program televiziv dhe që mbaron për të sepse ndryshe ai nuk ia del ta shohë emisionin në televizor.

Me të mbërritur në hotelin tim të preferuar dal në ballkon dhe ia jap fytyrën detit. Me siguri, sarandjotëve pamja e detit nuk i bën të njejtën përshtypje si neve vizitorëve të saj verorë. Unë dua që t’i marr Sarandës aq sa mund ta jap atë nga një këndvështrim i ndryshëm, apo i njejtë i përsëritur ndryshe.

Dhe Saranda nuk mund të quhet pa ushqimin. Sarandjotët janë “specialistë të midhjes dhe peshkut”. Restoranti im i preferuar ka një kënd interesant me vepra të njeriut më të përfolur të Shqipërisë edhe pas shumë e shumë vitesh. Një kënd me radio të vjetra. Më pëlqen shumë radio “Mimoza”. Por radiot nuk punojnë, sic ndodh me gjërat e vjetra që shumë prej nesh i hodhëm poshtë vetëm e vetëm se ishin të vjetra, jo se nuk punonin.

“Midhjet kanë kohën tani.” Më pëlqejnë bisedat e vogla me pronarët e restoranteve kur marrin porosinë. Nga këto biseda të vogla, që vërtiten nga notarët e famshëm, por të harruar të Sarandës, Ilir Meco me kompani, deri tek Theofil Haxhijani, aktori i estradës së Sarandës që ka kohë që jeton në Athinë.

Në Sarandë më pëlqejnë portat e “mbarsura” me bukanvilie. Më pëlqejnë shtëpitë e vjetra që tek-tuk i gjen edhe kësaj here, dhe mendoj do Zoti e nuk i “zhvillojnë“. Mos mendoni se jam kundër “zhvillimit”. Herë pas here më pëlqen të ndalet zhvillimi.

Kaloj përpara hotel Butrintit dhe më kujtohet takimi më drejtoreshën e tij të periudhës përpara viteve 90-të, një grua shumë e respektuar edhe sot e kësaj dite nga sarandjotët. Ajo quhej Asije Beqaj. Në këtëhotel janë xhiruar disa filma të Kinostudios “Shqipëria e re”. Për saktësi, filmat janë xhiruar në ballkonin e tij.

Shëtitorja është prishur, për tu zhvilluar. Këtë verë turizmi nuk do të zhvillohet në shëtitoren e Sarandës. Kjo më jep mundësi që t’i bie nga sipër shëtitores dhe ta shoh Sarandën nga një këndvështrim tjetër. kureshtarë të ndryshëm ndjekin punimet në shëtitore me interes më të madh nga vetë ata që i zbatojnë ato. Një cift të moshuarish këpusin gjethe rrushi.

Sinagoga e vjetër qëndron e cuditshme mes një qyteti që nuk e di as vetë përse ndryshon vazhdimisht. Në atë rrugë kanë mbetur ende ca porta të vjetra. Por unë kërkoj “Berberin”. Polua, sic e quajnë sarandjotët mban të palëvizur dyqanin e shërbimeve sociale. Koka e priftit është nga ato të Pogradecit, me thotë dhe habitet me dëshirën time për të bërë një fotografi përpara dyqanit të Berberit.

Porti i vogël i varkave, ose Limani sic e kanë pagëzuar tani ka pak varkarë që shesin peshk. Nga limani, Sarandën mund ta shohësh të plotë dhe të ndalosh për një kafe, një kasatë apo akullore në kafenenë pranë tij.

Kur vjen zhegu, sarandojtët e lënë rrugën dhe futen në shtëpira për gjumin e drekës. Në lulishte ngado të zë syri tabela me mbishkrimin “Mos këputni lulet”. Këtë sezon turizmi ende nuk ka nisur. Pandemia e ka mbyllur.

Përshkoj me makinë një rrugë që kalon nga stadiumi i futbollit që mban emrin “Andon Lapa”, deri atje ku gjendet ish Vendbazimi ushtarak. Këtë itinerar nuk e kam përshkuar më parë, dhe përvec pamjes që të ofron një gji i fshehtë ku dikur ka qenë një bazë ushtarake, së cilës i kanë mbetur vetëm shenjat e ndalimit dhe hekurishtet, vizitori ka mundësi të gjendet ca më lart deri tek Teqeja. Kisha, teqeja, xhamija, madje edhe rënojat e sinagogës nuk i mungojnë këtij qyteti.

Mbrëmjet në qytet janë të freskëta dhe me mushkonja. Një shall, një xhaketë duhen nëse nuk do ta marrësh veten më qafë.

Mëngjesi tjetër, pas kafes te sheshi i Limanit më gjen te Tregu i Fruta-Perimeve. Aty disa mikesha më njohin me Bardhën, që më shet duke folur anglisht. “Ka mbaruar shkollën me Medalje Ari”, më shpjegojnë mikeshat dhe mua më vjen pa dashje për të qeshur. Ndoshta kur flet në anglisht, kjo e ndihmon të tregojë se medalja për dicka i ka hyrë në punë. Bardha ka një stil të vecantë kur shet dhe më bën që aroma e domateve, e pjeshkëve, hudhrave, rigonit të më kujtojë rradhat tek Lina me Xhepin, në lagjen time, dikur fëmijë, në një kuptim të mirë. Bardha më jep borzilok që “ta mirisësh udhës”, më thotë. Dhe unë buzëqesh. Nuk them kot, kënaqësia që të japin udhëtimet janë njerëzit që takon në to. Njerëz si Polua, berberi, Beti, drejtoreshë në bankë, Drini, pronari i hotelit ku qëndruam, Renata, në restorantin gjatë rrugës që të con në Butrint.

Një shprehje më pëlqeu shumë që paskëshin përdorur sarandojtët dikur “të raftë pika në bithë“. Do ta përdor, me mend, shpesh.

Të nesërmen marrim rrugën e kthimit, kësaj here nga bregu. Kalojmë përmes Lukovës së aksioneve ku të rinjtë e të rejat “iu qepën kodrave për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat”. Këtë e kam me dëshimtarë, sepse disa të afërm të mi kanë punuar si aksionistë në Lukova. Po bregu i bukur është i gjithi.

Shën Vasili ka një përgjumje që ia prishin vetëm disa fëmijë të vegjël me bicikleta, dhe disa qen që rrotullohen përpara lapidarit, në qendër të fshatit.

Ndalesa e rradhës është në Qeparo. Atje kemi njerëzit tanë. I gjejmë duke punuar. Në shtëpinë e tyre vjen gjithmonë aromë ullinjsh. Gratë na dalin përpara me tabaka me liko portokalli. Biseda nis shtruar, atje ku e kemi lënë vjet. Flasim për brezat e shkuar. Për miqësinë. Për kohët që kanë ndryshuar. Aromat përzjehen. Rigoni më shpon hundët. Limonat po t’ua kruash pak lëkurën të dehin me aromë. “Mirisi, xhaneee, mirisi”. Në jug i dashurojnë fjalët, sidomos ata që i kanë përdorur ato gjithmonë për të dhënë dashuri. “Nën portokalle të ndala unë ty, lulet e limonit të binin në sy”.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.