Përkujtohet masakra me 52 të pushkatuar dhe 90 të burgosur

23/06/199:01

Shperndaje:


Perkujtohet 75 pervjetori i masakres se Hundrovunit ne fshatin Shen Vasil, nje nga masakrat me te medha nga permasat ne luften e dyte boterore.
Forcat gjermane në përbërje të grupimit “Shtajzer”, pas disa sulmeve dhe bombardimeve më 14 Qershor 1944 mundën të hyjnë në fshatin Nivicë e më pas në Shën Vasil. Pushkatimet Nga bombardimet që i paraprinë sulmit në Nivicë vriten Arsen Munguli dhe Vite Baxheri. Me hyrjen e forcave gjermane në Nivicë, fshati rrethohet. Burra, gra, pleq e fëmijë grumbullohen me forcë në varrezat e fshatit. Më 16 Qershor 1944 pushkatohen nga një skuadër gjermane, në hyrje të fshatit, në vendin e quajtur Vilëz, Lon Papadhima, Arsen Gjika, Illo Thoma e Andon Munguli. Të pushkatuarit për gjashtë ditë nuk u lanë të merreshin nga të afërmit e tyre.

Plaçkitja

Më datën 17 Qershor vriten në rrugët e fshatit Qendro Shkurti e Shano Pali. Gjithë fshati burra, gra, pleq e fëmijë mbasi mbahen një natë në varrezat e fshatit më datë 17 Qershor veçohen burrat 16 – 60 vjeç dhe nisen në drejtim të Kuçit për hapjen e rrugës Fterrë – Kuç. Gjatë udhëtimit për në Fterrë kolona ndalet për pak minuta në fshatin Lukovë, ku veçohen e pushkatohen niviciotët Stefan Boçi, Joto Baxheri, Stamat Qirka, Lekë Dami e Sotir Kosta duke çuar numrin e të pushkatuarve në 16 vetë.

Seleksionimi

Ditët e qershorit pasonin njëra tjetrën. Të dy fshatrat ishin në zi. Mbi to vazhdonte plaçkitja. Mbi 140 burra nga të dy fshatrat ishin të arrestuar dhe nuk dihej çdo të bëhej me ta. Masakrës nuk i dihej fundi. Më 23 Qershor ajo arrin kulmin. Nga të arrestuarit veçohet një pjesë e burrave, 16 niviciot (Qëndro Kola, Kiço Kola, Kozma Baxheri, Gol Bituni, Kolaq Duklaska, Spiro Thomari, Perikli Cici, Nin Kapetani, Spiro Dami, Illo Duka, Vangjel Munguli, Llamb Kuçi, Cane Mëhilli, Lon Dhimëspira, Aristidh Dhimërtika, Koço Leka), 12 shënvasiot (Leo Martiko, Gaqe Martiko, Illo Lepuri, Qirjako Vjeri, Pilo Jovani, Foto Gjoni, Thodhori Vogëli, Mitro Vjeri, Pilo Spiri, Aristidh Martiko, Pilo Stefani), 2 nga fshati Qeparo ( Pilo Jorgaqi, Ksenofon Jorgaqi ) si dhe 1 nga fshati Borshit ( Hysen Hajdini ). Gjithësej 31 burra.

Varri i përbashkët

U jepen kazmat dhe lopatat, të rrethuar nga rojet gjermane hapin me duart e tyre varrin e përbashkët. I rreshtojnë në një rresht para gropës dhe me një breshëri mitralozi të zgjatur pushkatohen njëherësh dhe hidhen në gropën e vdekjes. Masakra u krye në rrethinat e fshatit Shënvasil, në vendin e quajtur Hondrovun, ku për kujtim e përjetësim të tyre lartësohet një lapidar i thjesht. Një masakër e rrallë, histori e dhimbshme.

Internimi në kampin nazist

Masakra vazhdoi. 90 burra nga të cilët 42 niviciot, 48 shënvasiot nisen për në internim në kampet e përqendrimit nazist në Gjermani. Mbas ditë të tëra udhëtim në vagona të mbyllur pa ngrënë, pa ujë, pa shpresë për jetë të internuarit përqendrohen në kampin nazist “STALAG VII A” Mosburg Gjermani. Në kamp kishte vetëm vuajtje dhe punë. Konsumohej 150 gr bukë thekre dhe 1 lugë lëng karote në ditë nga çdo i internuar. Çdo ditë pushkatoheshin me dhjetëra robër. Në kamp nga vuajtjet dhe keqtrajtimi vdesin niviciotët Nako Spiri dhe Arsen Papadhima. Një vit jetë në internim, një vit vuajtje, dhimbje e masakër. Një vit me shpresa për të mbijetuar, për t’u kthyer në atdhe

Aleatët çlirojnë të burgosurit

Më Maj të vitit 1945 aleatët anglo – amerikan çlirojnë të internuarit dhe lindën shpresat për kthim në atdhe.
Në harkun kohor të 9 ditëve bilanci është tepër tragjik. 52 të pushkatuar e të vrarë, prej të cilëve 32 niviciot, 17 shënvasiot, 2 qepariot dhe 1 borshiot. Të gjitha shtëpitë e të dy fshatrave (Nivicë, Shën Vasil) të bastisura. 12 shtëpi të djegura, 3000 krerë të imta dhe 300 gjedh të rrëmbyera, rreth 100 dynym të grunjta të djegura si dhe drith, vaj, e sende me vlerë të rrëmbyera. Një bilanc tragjik, i pashoq në krahinë e pak më gjerë. Janë 52 shpirtrash njerëzor nga të gjitha moshat 16 – 60 vjeç që aspironin për liri, për jetën dhe gjetën vdekjen barbarisht. Janë 52 shpirtrash njerëzor që lanë nënat në të zeza, gra të veja e shumë fëmijë jetim.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.