Specialistët: Butrinti po masakrohet, do njoftojmë UNESCO-n

04/10/176:47

Shperndaje:


Më në fund dikush do të reagojë për lokalin që Mirela Kumbaro e Ministrisë së Kulturës ka vendosur të ndërtojë në parkun e Butrintit. Në një njoftim në Facebook, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pasi ka vënë në dukje anën skandaloze të vendimeve të Mirela Kumbaros për të ndërtuar një lokal në parkun e Butrintit, njofton se do të njoftojë me një letër sekretariatin e UNESCO-s. Reagimi më poshtë:
DEKLARATE PER SKANDALIN E BUTRINTIT
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore po ndjek me shqetësim skandalin e ndërtimeve me beton në brendësi të parkut të Butrintit, punime të cilat po kryhen me bekimin e Ministrisë së Kulturës. Sipas dokumentacionit dhe njoftimeve zyrtare të stafit të Mirela Kumbaros bëhet fjalë për ndërtimin e një objekti për shitje suveniresh dhe objekti i dytë për një “Qendër Multifunksionale Shërbimesh” (më shkoqur lokal). E gjitha kjo është justifikuar me “mungesën e kushteve higjieno-sanitare dhe sigurisë ushqimore të shërbimeve që u afroheshin deri më sot turistëve që vizitojnë parkun. Kjo logjikë do të funksiononte sikur Butrinti të ishte i njohur dhe vizitohej si destinacion “sloë food” apo prodhimeve bujqësore bio dhe jo një sit arkeologjik.
Pavarësisht këtyre argumentave qesharakë që sjell ministrja për të mbrojtur zullumin e saj, ajo ende nuk i është përgjigjur pyetjes kryesore që ngrenë sot të gjithë: përse duhet të ngrihen këto dy objekte në brendësi të parkut, pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit? A është vërtet i domosdoshëm sigurimi i bar-kafeve dhe shitjes së suvenirëve në brendësi të parkut, aty ku nëntoka ende nuk i ka nxjerrë thesaret e saj?
Të gjithë arkeologët si Neritan Ceka, Gjerak Karaiskaj, Gjergj Frashëri, e shumë zëra të tjerë profesionistë, kanë denoncuar mungesën e sondimeve arkeologjike përpara se të aprovoheshin këto leje në brendësi të parkut. Vendimet e dhëna për këto objekte nga Këshillit Kombëtar i Restaurimeve dhe më pas Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, janë dhënë në një distancë prej vetëm 13 ditësh (nga 12-25 maj), duke dëshmuar nxitimin me të cilin janë aprovuar vendimet nga institucionet në varësi të Ministrisë dhe mungesën e sondimeve të detyrueshmeve përpara hedhjes së betonit.
Akoma më absurd duket edhe shfajësimi se ndërtimet janë duke rehabilituar një ndërtim ekzistues, i ndërtuar në vitet ’70, ndërkohë që pamjet në terren vërtetojnë se bëhet fjalë për betonime të reja. Vetë objekti ekzistues, apo e njohur si ndërtesa e arkeologëve, mund të cilësohet si monument për shkak të historikut të saj mbi 50-vjecar dhe nuk mund të rikonstruktohet nga punëtorë të paspecializuar.
Ministrja Kumbaro duhet të shpjegojë gjithashtu edhe faktin që këto objekte po ndërtohen me kërkesë të subjekteve private, pra Partneritetin Publik Privat të famshmet PPP, dhe do të menaxhohen prej tyre. Dhe nga sa flitet deri më sot, nuk bëhet fjalë për biznese në fushën e artit apo fondacione, që ndihmojnë mbrojtjen e trashëgimisë, por biznese të tjera pa eksperiencën e duhur në menaxhimin kompleks që kërkohet në raste të tilla. Të shesësh sot nevojën e bizneseve për të ndërtuar bar-kafe apo restorante si shpëtim i arkeologjisë, është më shumë se hipokrizi. Përpara se të jepet me koncension ndaj lokaleve të privatëve, Butrinti ka nevojë urgjente për të patur planin e tij menaxhues, i cili po vonohet nga ministria e Kulturës prej 12 vitesh, pavarësisht se është detyrim nga qënia e tij pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCOs. Ky plan do të vërtetonte edhe “nevojat e vërteta higjieno-sanitare” të ministrisë në Butrint.
Nëse nuk do të frenohet kjo “grykësi” e Kumbaros, do të kemi edhe shumë skandale të tjera në sitet arkeologjike. Këto investime PPP në fakt u paralajmëruan nga Forumi në vitin 2015, me miratimin e udhëzimit të Ministrit të Kultures nr. 5110 date 13.10.2015 “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të Monumenteve të Kultures me qëllim rijetezimi “, duke i hapur rrugën çdo “subjekti të interesuar privat” që të propozojë ndërtime të tilla në sitet arkeologjike.
Tashmë është tepër vonë për të besuar tek reagimi i kësaj ministreje ndaj letrave të hapura apo denoncimeve publike të ekspertëve. Për të gjitha këto arsye, FMKT do t’i drejtohet me një letër zyrtare informuese sekretariatit të UNESCO-s për të denoncuar skandalin e rradhës. Të shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të jetë më i ndjeshëm dhe do të frenojë veprimet e papërgjegjshme të ministrisë për të shkatërruar Butrintin.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

BURGER KING kërkon të punësojë Asistent Menaxher  dhe Pergjegjës Turni
Greqi plan masash për të mbështetur të rinjtë dhe të papunët
Tatimet sqarojnë bizneset/ Sipërmarrësit që s’kanë kontratë qiraje do t’u mbahet tatim në burim
Shitet Apartament 1+1 në Sarandë, Sipërfaqja 54 m²
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për heqjen e sekuestros së Bazës Detare të Limionit
Kishte dëgjuar se këtu s’ka shtet, arrestohet 24-vjeçari nga Belgjika

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.