POLITIKA DHE JETA PUBLIKE, TERREN I VËSHTIRË PËR GRATË NË SARANDË

07/03/2317:30

Shperndaje:

Politika dhe jeta publike, terren i vështirë për gratë në Sarandë.

Nga Vasilika Isufi / Saranda Web

Në Shqipëri, angazhimi i grave në politikë si dhe në jetën publike është ende një terren i vështirë. Pengesat për t’u bërë pjesë e kësaj jete dhe për të kontribuar janë shumë më të mëdha sesa nxitjet për t’i hyrë kësaj rrugë.
Sfidave u shtohet një qëndrim mosbesues ndaj grave si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj tyre, që në sferën online intensifikohen gjithnjë e më shumë.


Një studim i kryer në vitin 2021 nga UNDP lidhur me dhunën ndaj grave në politikë, tregoi se mbi 55 për qind e grave kandidate kanë hasur rregulisht një gjuhë degraduese dhe thashetheme gjatë angazhimit të tyre, ndërsa 41 për qind janë përballur edhe me frikësim dhe dhunë verbale. Rreth 30 për qind e tyre janë kërcënuar gjatë fushatës apo angazhimit politik.

Në rrethin e Sarandës, gratë në postet drejtuese herë pas here janë sulmuar virtualisht me komente denigruese, duke e cënuar dhe përbaltur imazhin e tyre.

Një ndër rastet ku gratë në poste drejtuese janë sulmuar është ai pas arrestimit të drejtoreshës së IMT – Bashkia Sarande, Romina Pulaj.


Shumë nga portalet, por edhe media kombëtare, kanë përdorur tituj seksistë. Në disa raste, është përfolur për jetën e saj private në bazë të thashethemeve apo informacioneve të paverifikuara.


Ish-drejtoresha e IMT-së vinte në këtë pozicion pas disa vitesh pune në Hipotekën e Sarandës, si specialiste, shefe sektori dhe drejtoreshë.
Ajo u arrestua pasi u akuzua se lejoi zbatimin e Lejes së Ndërtimit të një pallati nga një firmë ndërtimi e ndryshme nga ajo që kishte marrë fillimisht lejen e zbatimit.
Komentet seksiste ndaj Pulaj, pa asnjë lidhje me detyrën apo kontributin në sferën publike, e rënduan edhe më shumë situatën e saj dhe ishin një goditje e rëndë për imazhin publik të një gruaje drejtuese.

Ndërkohë, Bashkia e Delvinës prej 4 vitesh drejtohet nga një grua.

Majlinda Qilimi është kryetare e një bashkie me të ardhura të pakta dhe sfida që lidhen kryesisht me largimin e banorëve, një fenomen që ka nisur prej vitesh e nuk është ndaluar.


Qilimi vjen nga fusha e edukimit – përpara zgjedhjeve 2019 kur mori drejtimin e bashkisë pa rival në garë, ajo ka punuar si mësuese në gjimnazin “Namik Delvina” të qytetit.
E kontaktuar nga SarandaWeb, Qilimi shprehet se: “drejtimi i bashkisë së Delvinës ka qenë një përvojë mjaft e mirë, e shoqëruar me sfida të herëpashershme, që kanë kërkuar gjithmonë praninë në krye të betejës për kapërcimin e tyre”.

“Janë pikërisht këto sfida dhe risi qe e kanë kthyer këtë periudhë kohore në një përvojë mjaft të bukur, ku fjalët kyçe kanë qenë puna dhe shërbimi ndaj komunitetit”, thekson Qilimi.


“Megjithate, në fillimet e punës time jam ndier e paragjykuar për faktin sesi një grua, aq me tepër në profesion mësuese, do të mund t’u jepte zgjidhje problemeve të mbartura ndër vite. Jam ndjerë vërtet mirë për cdo problematikë të mbartur të cilës skuadra që unë drejtoj i ka dhënë zgjidhje”, thekson kryetarja Qilimi.


Ajo shton se “kur vjen puna te sulmet, politika nuk bën dallime mes të dy gjinive, por se ajo vetë nuk e ka ndjerë apo përjetuar.
Lidhur me komentet në rrjete sociale që lidhen thjesht me faktin sesi një grua mund të ketë poste drejtuese, ajo thekson se “raste të komenteve negative ka patur. Janë raste që më kanë bërë të ndihem jo mirë, megjithatë i kam kapërcyer në heshtje. Përgjigjen ia kam lënë kohës”.
Vetë përpjekja për të bërë punë të mira në vijim ka qenë një përgjigje për të ndryshuar mendësinë e komentuesve.


Qilimi thekson se: Periudha e mandatit si kryetare ka qenë e ngarkuar me probleme të panjohura dhe të paevidentuara më parë, megjithatë ajo nuk është dorëzuar asnjëherë dhe gjithnjë ka menduar se “mund t’ia dalë”.


Hera e vetme në të cilën Bashkia e Sarandës është drejtuar nga një grua ishte në vitet 2015-2019 kur Florjana Koka, një gazetare në edukim e profesion mori në dorë udhëheqjen e këtij institucionit të qeverisjes vendore.


Ish-kryetarja e Bashkisë Sarandë, Florjana Koka, ka qenë një prej figurave më të sulmuara virtualisht me komente negative dhe shpesh herë fyese dhe denigruese. Koka më herët ka qenë gazetare në një nga televizionet lokale në Sarandë si dhe drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Sarandës.
Komentet fyese ndaj saj vinin pothuajse në cdo publikim në SarandaWeb, por faqja ka patur një moderim të rreptë duke i fshirë këto komente dhe duke bllokuar përdoruesme llogari të cilat krijoheshin për t’u përdorur për sulme personale dhe fyese.


E larguar tashmë nga rrjetet sociale si dhe jeta publike, Koka është një rast që ilustron peshën e rëndë të angazhimit në politikë dhe drejtim. Ajo nuk iu përgjigj përpjekjeve të SarandaWeb për ta intervistuar lidhur me sfidat e grave në politikë dhe portretizimin e grave në media.


E ndryshme është përvoja e Manjola Nikollës, e cila drejton Partinë Demokratike në Sarandë.

Ajo vjen nga një përvojë e hershme në radhët e kësaj partie dhe më herët ka drejtuar Forumin e Gruas së PD në Sarandë.


E kontaktuar nga SarandaWeb në lidhje me portretizimin e grave në media tha se “statusi i gruas në politikë për fat të keq mbetet ende i brishtë”.
Partitë politike ose opinioni që na rrethon është mësuar ti shohë gratë si fasadë të fushata elektorale dhe jo si vendimarrëse dhe drejtuese të politikave. Në këtë kushte dhe unë jam ndier e paragjykuar e ndoshta dhe e sulmuar.


Nikolla fitoi garën përballë tre kandidatëve burra dhe kjo i jep asaj sigurinë se ka mbështetjen e shumicës brenda forcës së saj politike.


Lidhur me rastet konkrete te sulmeve online, Nikolla thotë se “për fat të keq është kthyer në dicka normale që kur merresh me politikë, do kesh sulme dhe komente negative. Prandaj që kur e mora këtë rrugë isha e përgatitur për pengesat që do hasja. Unë kam vendosur të shikoj objektivin dhe jo të merrem me komentet negative”.


Trembëdhjetë vitet e saj në angazhim politikë e kanë stërvitur Nikollën për të qenë më e fortë dhe për të kontrolluar emocionet, sic thekson vetë ajo.
“Përveçse pasion, politika për mua është mision dhe si e tillë jam shumë e qartë në këtë rrugëtim”, shton drejtuesja e PD-së në Sarandë.


Rrugëtimi është i gjatë dhe vështirë, më shumë për gratë sesa për burrat dhe përvoja e tyre tregon se sulmet apo sfidat shtohen për faktin e thjeshtë se janë gra dhe “politika është konsideruar gjithnjë si fushë ekskluzive e burrave”. Nga Vasilika Isufi / Saranda Web

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.