MEMORIE – Taqo Lepuri, artisti plot dritë e fisnikë, mikpritës dhe i dhembshur

25/09/2318:39

Shperndaje:

TAQUA LEPURI – një artist plot dritë e fisnikë, mikpritës dhe i dhembshur (në 91 vjetorin e lindjes).

Artistë të shquar të Estradës Profesioniste të Sarandës, nga Vangjel Agora.

Pas një pune këmbëngulëse dhe të palodhur të artistëve amatorë të Shtëpisë së Kulturës, aktorë, këngëtarë, instrumentistë, në realizimin e një sërë numrash të estradës në vitet 60-të,u arrit që në 2 prill të vitit 1962, spektatori i qytetit të Sarandës, në reklamën e afishuar të lexonte: Estrada Profesioniste e Sarandës jep për ju premierën e saj të parë: “NËPËR SARANDË”

Sarandjotët atë ditë e kishin mbushur sallën si asnjëherë tjetër. Në skenë dolën artistët amatorë më të mirë të aktivizuar deri atëherë. Tashmë ata quheshin “profesionistë”, sepse paskëtaj do të ecnin në këtë profesion duke i lënë punët e tyre të mëparshme. Artistët që iu besua kjo detyrë, kaluan në një komision të ardhur nga Ministria e Kulturës. Përpara këtij komisioni kaluan rreth 35 artistë amatorë, nga të cilët u zgjodhën më të mirët, që ndryshuan status dhe u bënë kështu profesionistët e parë të Estradës si: Koçi Vasi, Myfit Braja, Illo Martiko, Bedrie Tahiraj, Kiço Kapedani, Xhemile Sheme, Liri Sejdo, Illo Papadhima, Masar Tahiri e me pas, Jorgo Nano, Thoma Xhupa, Ilki Preja e Tuli Bajrami. Regjisor u vendos Dhimitraq Lepuri, që ishte regjisori i parë i trupës së Estradës. Një pasionant i artit skenik, që kishte mbaruar një kurs regjie në Tiranë dhe ishte marrë me teatrin amator në ato vite. Njeri i dashur dhe i afrueshëm me koleget. I kudondodhur, me humor, i qeshur, pranues, tejet social dhe i aftë të përballej me të gjitha vështirësitë e kohës.

Në fakt, të gjithë sarandjotët e përtej tyre, Dhimitër Lepurin e njihnin me emrin Taqo ose i folur në të përditëshmen (Xhaxhi Taqua). Profesor Josif Papagjoni shkruan për të:”Ishte një shenjë e bukur e qytetit të Sarandës. . Saranda s’kishte shumë të tillë. Qe e vogël. Familjare. Mikpritëse. Kurse në komunitetin e artistëve, doemos ai ishte i vetmi për të gjithë ç’vinin nga Tirana dhe rrethet e tjerë të vendit. Mikpritja e tij qe proverbiale. E jashtëzakonshme në llojin e vet. Me mijëra artistë, shkrimtarë, zyrtarë të artit, miq të shquar, dhe mijëra të tjerë jo të tillë, në krye të herës do të priteshin bujarisht nga Taqua. Dhe ata do ta kuptonin shpirtin e qytetit dhe vlerat e tij po nga Taqua, . Ishte si një magnet. Dhe shumë, po shumë i ëmbël. Humori buronte vetiu në fjalën e tij, sepse ai ishte një sfungjer përplot histori, anekdota e ndodhi gazmore. Një shpirt që veçse dashuri jepte”.

Taqo Lepuri ishte një ARTIST

Talenti i tij si aktor u poq vit pas viti. Nuk do desha të bëja një CV të roleve të tij të shumtë e të larmishëm, si në shfaqjet e estradës, ashtu edhe në shfaqjet e teatrit amator të qytetit. Dua të mbetem në dy prej tyre. Në vitin 1976, në teatrin amator të qytetit u vu në skenë drama “Mulliri i Kostë Bardhit” të Naum Priftit. Taqua luajti rolin e Andreas, vëllait të Kostë Bardhit. Ishte tejet i veçantë me atë rol. Një karakter i mëvetësishëm. Një talent i vërtetë prej aktori.

Roli i dytë, mbresëlënës ishte një i burgosur në dramën “Duke mposhtur vdekjen” të Englantina Mandisë,

Taqo Lepuri ishte një NJERI i veçant dhe i dashur

E kush nuk e njihte Taqon në Sarandë?! Një burrë i bukur, me mustaqet e pandara. I shëndetshëm. Faqekuq. Sykaltër. I veshur mirë. Ishte gazmor e plot humor. Por një humor i bardhë, si shpirti i tij. Sepse ai dinte të respektonte. Dinte të nderonte.

Taqo Lepuri ishte edhe një PEDAGOG

Emri i tij veçanërisht u lidh ngushtë me teatrin e kukullave të Sarandës, ku edhe derdhi energjitë më të mëdha, pasionin e pashuar prej punëtori të palodhur. U bë teatër prijës në Shqipëri për nga dendësia e aktivitetit. Ai organizoi në vitet ’70-’80 tre grupe paralele: me aktorë të rritur, aktorë të rinj nga shkollat e mesme dhe aktorë të vegjël. Dhe i përtërinte ato. Ai krijoi një rreth të gjerë aktorësh, që aktivizoheshin pas pak vitesh edhe në teatër edhe estradë. Edhe unë jam jnëri prej tyre qe kalova nga dora e Xhaxhi Taqos. E dyta, edhe pse ishte regjisor në Shtëpinë e Kulturës e më pas në teatrin e kukullave, ai mbeti i lidhur ngushtë me estradën, artistët e saj, ishte ndër themeluesit. Mua më habiste vullneti i tij për punë. Ska mbetur faqe fëmije pa e puthur ai (xhaxhi) me mustaqet e tij, por edhe faqet dhe mustaqet e tij ia kanë puthur mijëra fëmijë, nxënës e të rinj. Ai e ktheu teatrin e kukullave në një shkollë të vërtetë argëtimi, edukimi dhe formimi. Ishte një pedagog i lindur.

Taqo Lepuri është ndarë nga jeta në viti 1998, por ka mbetur në memorien e artëdashësve të qytetit dh jo vetëm, si dhe tek të gjithë fëmijët e atyre viteve i pa haruar për dashurinë që jepte dhe kontributin në artin skenik të qytetit tonë.

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.