I mblodhi për skrap, sot hap galerinë ‘Antika Sarandë’ me 1500 objekte që tregojnë copëza historie në kohë të ndryshme

17/05/2116:11

Shperndaje:


“Antika Sarandë” është galeria më e re në qytetin bregdetar. Aty janë ekspozuar mbi 1500 objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike.
E gjitha nisi si një punë nga Hyqmet Balla për të ushqyer familjen, por që rrugës mori formë dhe vlerat e një koleksioni të rëndësishëm

Kjo galeri e veçantë me objekte të përdorura në disa periudha historike ndodhet në Sarandë. 1500 objekte bronzi, tunxhi, bakri, hekuri, druri dhe qelqi zbuluar e ruajtur nga Hyqmet Balla. Gjithçka nisi 7 vite më parë kur ai u shpërngul nga Tepelena për në qytetin bregdetar.

E vetmja mundësi për të nxjerrë të ardhura ishte mbledhja e hekurishteve. Por duke parë vlerat e rralla që paraqisnin ato Hyqmeti filloi t’i koleksionojë, për të hapur sot këtë galeri, të cilën e ka emërtuar “Antika Sarandë”.

VIDEO në youtube https://youtu.be/mDz2150ebjI

 

“Kjo ide më lindi para 7 vitesh. Mblidhja skrap në Sarandë. Ju thoja klientëve se nëse keni një objekt të veçantë mos e shtypni, mbajeni veçan. Dhe arrita deri tani që kam mbi 1500 copë. Ideja është që të afrohen njerëzit, të kujtojnë fëmijërinë. Të thonë që kam pirë çaj apo kam lexuar me këtë fenerin. Deri tani asnjë interesim. Synimet e mia që sa më shumë turistë të vijnë në dyqanin tim, lokalin tim. Për të blerë ka pasur kërkesa, por nuk i kam shitur. Nuk po gjej më. I kanë hedhur poshtë për skrap”, tha Hyqmet Balla.

Edhe pse shumë herë familja e Hyqmetit ndodhej në vështirësi ekonomike, ai asnjëherë nuk mendoi shitjen e këtyre relikeve të vjetra.

“Kemi pasur momente që mbetëm dhe pa lek. Më thoshte nusja shiti burrë se na duhen lekë, por nuk i shita. Edhe para ca vitesh më ndodhi një problem, prapë nuk i shisja. Kur iki në fshat lë roje këtu që të mi ruaje dhe mos të mi vjedhin”, u shpreh Balla.

Përgjegjësi i muzeut të Traditës në Sarandë Xheladin Beqiri thotë se këto objekte mbartin vlera dhe rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe materiale të kësaj treve.

“Këtu kemi një muze me objekte që i përkasin disa periudha kohore dhe që kanë qenë funksionale. Objekte të përbëra nga disa lloje materialesh. Fatmirësisht Hyqmeti i ka mbledhur dhe sistemuar. Vendosja në këtë muze është prap një ide e mirë. Janë me tre cilësi. Përdoren ose për gatim, ose për transport, ose për funksione të tjera. Interesante është për këtë lloj muzeu edhe mbledhja e disa zileve dhe këmborëve të përdorura në stane. E ka nisur nga më të voglat tek të mëdhatë. Doja të ndalesha tek objektet e vogla, që nga xhezvet, gotat skulptura. Ky muze është me vlera të mëdha etnografike. Duke pasur këto objekte të shumta që nuk i ka Saranda apo ndonjë vend tjetër. Një turist duke ardhur dhe duke parë këto objekte, do thojë janë një produkt i zgjuar. Sepse mund ti shiste për bakër dhe mund të merrte prapë lekë”, tha përgjegjësi i muzeut Sarandë, Xheladin Beqiri.

Kjo galeri e veçantë pritet të shndërrohet në një atraksion turistik. Përgjegjësit mendojnë që në të ardhmen muzeu të vizitohet nga turistë të huaj e pushues vendas. /Shqiptarja.com


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.