ADRIATIK LAPAJ: ASKUSH NUK I PRET DOT IDETË

25/11/2212:57

Shperndaje:

Të dashur bashkëqytetarë!

Në këto 4 vite me Nismën e Luleve jemi organizuar djem dhe vajza të qytetit, por jo vetëm për të nxitur një model të së mirës.

Zgjodhëm të mos heshtim, por të flasim me punë. Nuk mallkuam kënd pse nuk bëhen gjërat, por nisëm të bëjmë sa mundemi për të treguar problematikat në qytet, aspiratat tona për t’i ndryshuar dhe punuam për të përmirësuar sa mundemi.

Nuk hodhëm baltë mbi askënd, madje as mbi ata që me baltë kanë vegjetuar e kanë shpërdoruar pasurinë e përbashkët, por ju përveshëm baltës e mbollëm pemë, lule, pikturuam muret e betonit, pastruam detin nga gomat, llozhi i mbeturinave nga marrëzia e tranzicionit dhe vendosëm kosha në çdo rrugë nga Saranda në Ksamil.

I bëmë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë jo se ne mund ta ndryshojmë mbarë qytetin, por se duam të nxisim vetdijësimin qytetar që të kërkojë më shumë pemë, më shumë pastërti, më shumë kujdes ndaj mjedisit, më shumë estetikë, më pak beton, më shumë rregull nga ana e strukturave shtetërore përgjegjëse.

Është thelbësore të kuptojmë se çdo kontribut te prona publike rrit cilësisht dhe vlerën e pronës private. Një qytet me rrugë të pastra, parqe dhe pemë, det të pastër, mure betoni të lyera me ngjyra, kosha, sinjalistikë, tabela informacioni për turistët i rrit vlerën pronës së secilit si dhe e bënë jetën e kujtdo në atë qytet më të bukur.

Ajo që ne bëjmë në fakt ka shqetësuar e trazuar shumë shpirtra që nuk flenë në paqe në atë qytet. Ka shqetësuar ata që e shohin çdo gjë të lidhur me politikën. Ata që mendojnë se njerëzit janë pronë e partive dhe se bota rrotullohet rreth partive. Ata që pushtetin e shohin si mundësi për të bërë para e jo si mundësi për të jetësuar vepra në interes publik.

Të dashur bashkëqytetar,

Lulet që ne mbjellim e kujdesim nuk janë prona jonë, por juaja. Shumica prej nesh që i mbjellim e kujdesim i shohim 1 herë në 2 apo 3 javë pasi jetojmë e punojmë larg Sarandës. Ju i keni, i shihni e shijoni çdo ditë, ndaj çdo agresion ndaj tyre është agresion ndaj jush. Te deti që ne pastrojmë laheni ju, fëmijët tuaj dhe turistët që marrin me qira dhomat tuaja. Te rrugët ku vendosim kosha, ecni ju ndaj janë në shërbimin tuaj. Ne që i bëjmë nuk kemi mbi to asnjë pronësi nga dita kur i bëjmë e në vazhdim. Ato janë pronë publike. Kush mendon se dëmton NE e ka gabim. Ne nuk e bëjmë se duam dekorata, por se nuk e kalojmë dot jetën pa bërë gjë. Edhe sikur t’i prishni të gjitha e për çdo ditë, unë dhe ne do vazhdojmë të bëjmë. Ne do jetojmë si ata që bënë, ndërsa ata që prishin si ata që prishin. Dëm nuk na bëni vetëm ne, kryesisht i bëni vetes, pemës ku keni hipur që po e prisni çdo ditë e papushim këto 32 vite. Se shkatërroni e prishni atë që bënë tjetri ndaj dhe Shqipëria xhiron në vend. Ato që bëjnë të tjerët i prishni ju, ato që bëni ju ua prishin të tjerët. Ama mos e harroni se jemi të gjithë në të njëjtën anije.

Ata që prenë lulet ndoshta mendojnë se duke prerë bukovilet që mbollëm ne, do presin dhe vullnetin tonë. U them se veçse e shtojnë. Nuk priten aspiratat as me sqepar e as me sëpatë. Idetë nuk i kanë vrarë dot as me ushtri. Idetë nuk i lag as uji e nuk i djeg as zjarri.

Ne si qytetar të mirë kemi vendosur që tashmë nga rrugët e lëna jetim nga shteti të mbjellim oborret e shtëpive të Sarandiotëve. Do shkojmë në çdo shtëpi private e do u dhurojmë bukovile. Aty as i prisni dot e as i shkulni dot. Ai qytet do mbushet plot ngjyra. Idetë dhe aspiratat lulëzojnë edhe më shumë kur tenton ti presësh.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.