Tempulli më jugor i Shqipërisë

26/01/2015:56

Shperndaje:


Nga Pajtim Çaushi

Ngjitu në majat e Saraqinit, Nartës, Cjepurit apo të Çukës së Ajtojt dhe do stepesh prej bukurisë mahnitëse që të shfaqet.

Si në pëllëmbë të dorës të del para syve Konispoli, vendbanim nga më herakët i trojeve etnike shqiptare. Një qilim i blertë i mijëra ullinjve valëzon mes kodrave që qarkojnë Qytetin e Kaonëve. Mes këtij mjedisi tē veçantë, diku rreth mesit të hapësirës së gjelbër të kap shikimi njē ndërtesë të madhe me oborr si qëndisje dhe dritaret plot ditë. Është godina e Shkollës së mesme të bashkuar të Konispolit.

Ditën e martë më 21 janar 2020 në bibliotekën e shkollës u organizua paraqitja e librit poetik PERËNDIM NË TRISHTIM i autores së re Grisela Veli, nxënëse e vitit XI nē gjimnazin e Livadhjasë. Me të drejtë vellimi u vlerësua pozitivisht nga ish mësuesi i 9 vjeçares Behar Maze, nga mesuesi dhe këshilluesi i sotëm i vajzës në gjimnazin e Livadhjasë Vangjel Xhaferi e drejtori Niko Murati, nga organizatorët Bukuri Braho (drejtore) dhe Sami Alimema (mesues) të Konispolit etj.

Veprimtaria doli shume e bukur, por mua si pjesëmarrës, si ish nxënës dhe banor i pandarë i Konispolit tim më nxiti të shkëputem nga libri i Griselës dhe të hedh në shkrim ca grimca për shkollën e zemrës ku punova plot vite.

TEMPULLI I DIJES

Të gjithê ata që e kanë mbaruar Gjimnazin këtu e quajnë Universiteti i Konispolit. Në të vertetë përcaktimi i bërë nuk ēshtë hiperbolë qē mund të nxitojnë ta quajnë nihilistët, nuk është as lavdërim i skajshëm, nuk është as metaforë e zmadhuar.

Jo, është njē realitet i pjekur me moshë gjashtëdhjetë e një vjeçare. Se Gjimnazi ynë këtë vit kaq vjeç mbush. Në udhën e bërë patjetër do te ndodhte mrekullia e rrethqarkullimit të brezave. Dhe a e dini se ne sot kemi në jetë hierarkinë moshore me shkallaren shumëviteshe biri , babi, gjyshi, paragjyshi nxēnës dhe ish nxënës tē gjimnazit tonë? E rrallë, e bukur dhe e vërtetë! Të gjithë që kanë kaluar tek ky tempull i dijes, kudo jetofshin, ngado punofshin kujtojnë me nostalgji topinimet: konvikti, shkolla e vjeter, shkolla e re, Çiçiriku, përroi i Pirros, Shelqi, salla e kulturës, Rrahu, pra gjithë Konispolin.

Ndonëse shumë nxënës apo shumë mësues janë dalluar midis të tjereve në gjithë këta vite, por unë nuk veçoj askend. Përse duhen veçuar kur në kuptimin e jetës te gjithe jemi si gishtat e dorës? Në anën tjetër dallimin kushdo e bën në bazë të prirjes dhe tipit të vet. I veçuar nuk bëhet vetëm i miri në mësime apo në punë, por edhe në drejtime të tjerë të jetēs.

Në këtë shikim i cili më duket më i drejti, dallimi vetem për dijen dhe aftesinë s’ka asnjë kuptim. Ti ke dije për fizikēn, unē kam për letërsinë, njëri e bën punën shpejt, tjetri më ngadalë, por të dy e bëjnë. Atëherë them që secili e bëri me dinjitet segmentin e jetēs së vet nē gjimnazin tonē të përbashkët.

UDHËTOJMË TË NGJITEMI

Po sot si është gjimnazi ynë i Konispolit? Gjallon apo vegjeton? Këndon apo gjumon? Pyesim drejtore Bukurinë: Ç’të them unë, shikojeni vet shkollën dhe nxenësit. Përpiqemi dhe mundohemi t’ia dalim. Dhe në fakt jemi mirë për procesin mesimor, për mjediset e përshtatshëm, në olimpiadat e konkurset e rrethit apo vendit ku marrim pjesë, pra në gjithë treguesit e nevojshëm. Kuptohet, s”jemi në maja, por udhëtojmë të ngjitemi.

PO, KETU UDHETOHET

Vizitojmë klasat, laboratoret, palestrën, muzeun. Kabineti i informatikës me pajisje të reja e të mjaftueshme per mësim normal. Çdo gjë në vendin e vet. Shikojmë edhe qoshet, korridoret, ekspozitat, lajmerimet, parrullat, oborrin… Janë mbjellë edhe lule e drurë të rinj… Ateherë edhe unë përsëris fjalët e drejtore Bukurisë: Në tempullin më jugor të diturisë udhëtohet…


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.