Syrit të Kaltër i është vënë syri dhe nuk i ndahen, qeveria shpall tender të ri

01/11/1915:35

Shperndaje:


Pas një tenderi për dhënie me qira të katër kabinave në zonën e mbrojtur të “Syrit të Kaltër” në Bashkinë e Finiqit, që i kushtoi shtrenjtë shoqërisë shtetërore “Albturist TO” sha, duket se ky objekt nuk i ka shpëtuar vëmendjes së qeverisë. Sot është shpërndarë njoftimi se Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka shpallur tender për hartimin e një plani menaxhimi për gjithë zonën e “Syrit të Kaltër”, ku përfshihen plane për përmirësim të aspekteve fizike, sociale, ekonomike dhe ekologjike të zones.

Fondi limit për hartimin e planit është 5.8 milionë lekë dhe ofertat mund të dorëzohen deri me datën 12 nëntor 2019, ora 12. Sikurse është bërë e ditur, ditët e fundit shoqëria shtetërore menaxhuese e këtij monumenti të natyrës, “Albturist Tour Operator” sha, u shkri nga qeveria, pasi, jo vetëm që nuk kishte marrë masa për përmirësimin e kushteve të “Syrit të Kaltër”, por u përpoq që t’ia japë privatit me qira aktivitetin e disa kabinave që ndodhen atje.

Por ky objekt në fakt kontrollohet nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, që duhet të thotë fjalën e fundit për çdo ndryshim të statusit të tij. Monumenti i natyrës “Syri i Kaltër” është shpallur si i tillë në vitin 2002. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 180 ha duke përfshirë edhe sipërfaqen ujore të burimit. Kjo sipërfaqe përbëhet në pjesën më të madhe nga pyll i llojit mbrojtës dhe sipërfaqja ujore e burimit prej afërsisht 13.5 ha. Burimi i Syrit të Kaltër me një thellësi mbi 50 m, përbën një zonë mjaft tërheqëse për vizitorët dhe turistët. Ky burim është furnizuesi kryesor për lumin Bistricë.

Aktualisht në këtë monument natyre funksionon një pikë biletarie e cila nuk përmbush standardet e kërkuara. Duke qënë një nga pikat turistike më të vizituara është e nevojshme investimi për implementimin e një pike biletarie elektronike si dhe hartimi dhe miratimi i një rregulloreje të brendshme për funksionimin e pikave të biletarisë, në funksion të menaxhimit efektiv të zones, thuhet në dokumentet e tenderit. Ndërkohë, problem i rëndësishëm është edhe mungesa e infrastrukturës si dhe rruga plotësisht e amortizuar e cila të çon në Monumentin e Natyrës.

Nisur nga fluksi i lartë turistik dhe interesi i madh për këtë monument është i nevojshëm investimi për mirëmbajtjen e saj, vendosjen e postbllokut elektronik dhe sistemimin e parkimeve. Mungon infrastruktura në shërbim të turistëve përfshirë këtu tualete dhe kosha për mbetjet si më të rëndësishme. Dhe numri i vizitorëve nuk ka qenë i vogël: Për periudhën Janar–Dhjetor ai ka arritur 84.616 persona dhe në 28.905 numri i mjeteve, që paguajnë të gjithë biletë hyrjeje.

d.ba./b.ha./Shqiptarja.com


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.