Saranda, modeli i turizmit shqiptar

21/08/1614:43

Shperndaje:


kalaja lekursitSaranda, modeli i turizmit shqiptar.
Nga Zenel Çeliku. 

Kisha 3 vjet që nuk kisha shkuar në Sarandë, por vërtetë kisha dëgjuar vlerësime mjaft pozitive për plazhin dhe qytetin e Sarandës. Unë jam mikpritës i dy gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të mi nga Austria. U kam folur se në Shqipëri ka peizazhe dhe plazhe të bukura. Kështu, ata erdhën për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri. Si mik i tyre, ata më kërkuan që brenda mundësive t’i shoqëroja për disa ditë relaksi në plazhet e Shqipërisë dhe konkretisht në Durrës dhe në Sarandë.
Pa dyshim, ashtu siç kanë bërë ata që më kanë shëtitur e shoqëruar në mjaft pika turistike të Austrisë, edhe unë me mjaft dëshirë i kam shoqëruar në plazhin e Durrësit dhe po i shoqëroj edhe në atë të Sarandës. Pak ditë më parë shkuam dhe u akomoduam në një hotel në plazhin e Durrësit. Më vjen shumë keq që të shprehem, por të dy kolegët e mi austriakë, që të nesërmen më kërkuan që të largohemi nga plazhi i Durrësit, sepse uji i plazhit ka shumë, shumë ndotje, uji i pijshëm është me orare, ka shumë problem në infrastrukturë, rëra e papastër, aty këtu plehra dhe mbetje kartonësh, e në përfundim ata, tej mase të zhgënjyer vendosën që të shkojmë drejt Sarandës.
Kemi pak ditë këtu në plazhin e bukur, të pastër e fantastik të Sarandës. Kolegët e mi austriakë janë shumë të kënaqur me gjithçka që ofron Saranda, edhe pse qyteti është tej mase i ngarkuar me turistë shqiptarë, italianë, grekë, gjermanë e të tjerë, përsëri në çdo segment të Sarandës asnjë pengesë në lëvizjen e automjeteve, edhe pse ka shumë autovetura në qarkullim. Në një telefonatë me Shefin e Qarkullimit të Sarandës-Leonard Xhindi, mësova se policia e këtij qyteti është me detyrë parësore 24 orë në 24 orë në krye të detyrës, me qëllimin që turistëve t’i shërbejmë maksimalisht duke qarkulluar me automjetet e tyre sipas rregullave, pa vonesa dhe pa strese-më tha z.Xhindi. Kurse për qytetin e Sarandës dhe për plazhin në tërësi, koleget mia janë shprehur shumë, shumë të kënaqur, qytet fantastik nga çdo drejtim-thonë kolegët austriak. Kudo duket qartë puna e shkëlqyer e Bashkisë Sarandë, kudo shikon pastërti dhe në çdo 10m kosha plehrash, rregull, sistemimin perfekt të bizneseve ambulant, vizime të rrugëve, qyteti nuk ka fjalë për të shtuar-shkëlqyeshëm. Shëtitorja e Sarandës më kujton shëtitoren tradicionale (që tashmë është harruar) të Tiranës para viteve 1990, kur qytetarët e kryeqytetit shëtisnin e bënin xhiron e darkës. Ashtu edhe në shëtitoren e bukur të Sarandës, në pedonalen mjaft bukur të ndërtuar-sistemuar, njerëzit shëtisnin të qetë, të gëzuar e plot kënaqësi.
Kurse për plazhet e Sarandës kolegët austriak absolutisht janë pa fjalë, shumë bukur të sistemuara, kudo thjeshtë e pastër, rregull e bukur, nuk ka aspak ndotje akustike siç ndodh rëndomtë në qytete të tjera, uji i plazhit është si kristali, shërbimet e çdo lloji sipas rregullave higjieno-sanitare. Kudo, kudo pushteti vendor është prezent duke u ndodhur pranë shërbimeve për turistët, pushteti vendor i ndodhet pranë shërbimeve të ndryshme si partner dhe jo si gjobëvënës. Nuk ka fjalë të tjera për të shtuar, vetëm ju lumtë dhe bravo Bashkisë të Sarandës, që me punën e tyre të pa lodhur, i kanë krijuar turistëve vendas dhe të huaj, kushte të mrekullueshme për të pushuar. Kolegët austriakë më sugjeruan që edhe në emër të tyre, të falënderoja Kryetaren e Bashkisë së Sarandës, znj. Florjana Koka, për punën e shkëlqyer që ka bërë kjo Bashki, për të komplementuar punën dhe mundin e tyre, që turistët të pushojnë në kushte shumë të bukura, të qeta dhe të pastra.
Ashtu bëra, i telefonova znj. Koka, për të cilën dëgjova fjalë shumë të mira, si një kryetare mjaft e thjeshtë, që di të punojë aq mirë me bashkëpunëtorët e saj në qeverisjen vendore të Sarandës, e cila muajt e sezonit turistik i ka shpallur periudhë pune intensive, pa ndërprerje-pa pushime verore dhe tërësisht në shërbim të turizmit në çdo cep të Sarandës.
Si qytetar (jo si gazetar), si turist dua të theksoj se përshtypjet e mia dhe në veçanti përshtypjet e gazetarëve-kolegëve austriakë janë shumë të sinqerta, janë vlerësime të tre turistëve që po kalojnë disa ditë pushim në mes tre miqve. Edhe një herë komplimente Bashkisë të Sarandës për punën e shkëlqyer që kanë bërë për të mbajtur të bukur, të pastër dhe me rregull qytetin dhe plazhin e Sarandës. Ja pra, ky është qyteti dhe plazhet model edhe për qytetet dhe plazhet e tjera të vendit. Botuar ne Koha Jonë

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.