Pse Saranda duhet të ndjekë shembullin e Korfuzit

19/05/1616:35

Shperndaje:


Opinion nga Piro NAÇI.
SARANDATurizmi dhe Saranda janë dy fjalë të ndërlidhura që kanë pothuajse të njëjtën kuptim, që nga thellësia e viteve e deri në ditët tona. Turizmi është një nga degët më të fuqishme të ekonomisë sonë, por edhe një produkt i ri dhe me cilësi të lartë në tregun ndërkombëtar, i cili vitet e fundit po ecën me hapa disi të përshpejtuara. Padyshim, në këtë kontekst, peshën më të madhe të këtij zhvillimi e ka patur, e ka dhe do ta ketë Saranda. Shumë është folur për Sarandën; për anët e mira të zhvillimit të saj, por edhe për të metat e dobësitë. Zhvillimi do të kishte edhe të meta, por dikush mund të ketë gabuar, duke filluar nga pushteti lokal e deri te ai qendror. Madje, vitet e fundit janë kthyer në modë diskutimet e pafundme për “atavizmin” e zhvillimit turistik në Sarandë dhe se si është betonizuar apo shndërruar këta 20 vjetët e fundit. Pavarësisht kësaj, turistët dhe sidomos ata të huaj, po shtohen nga viti më vit dhe Saranda po bëhet gjithnjë e më shumë një nga qendrat më të preferuara dhe të lakmuara turistike. Por Saranda nuk ka vetëm të kaluarën, ajo të ka tashmen dhe të ardhmen e saj. Jo për t’u justifikuar, por për hir të së vërtetës, le t’i kthejmë sytë dhe kujtesën pak vite më parë. Si në të gjithë vendin, edhe në Sarandë kursi i zhvillimit të turizmit ka qenë disi kuturu, i pa organizuar dhe rastësor. Zhvillimi ishte i mbështetur në instinktin e sipërmarrësve privatë dhe në mikpritjen e qytetarëve sarandjotë. Shteti nuk ishte në gjendje ta mbështeste me programe, ta ndihmonte dhe të frymëzonte sektorin e turizmit, por mbeti një vëzhgues dhe shikues pasiv në iniciativën private të sipërmarrësve. Të gjitha projektet e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit erdhën vetëm nga investitorë privatë. Pikërisht, këtu duhet të qëndrojmë dhe të bëjmë një pikënisje të re. Shteti dhe organet e tij i kanë shumë “borxhe” Sarandës, për sa i përket turizmit. Por jo vetëm Sarandës, por edhe çdo qytetari dhe sipërmarrësi që ka investuar, jo vetëm në turizëm, por edhe në degët e tjera që kanë lidhje me të. Nuk po ndalem te produkti i pasur dhe te alternativat e turizmit të Sarandës. Për to është folur me mijëra herë dhe janë bërë premtime; janë shfaqur ide; janë hartuar programe, si nga brenda vendit, por edhe nga jashtë tij. Por dua të ndalem në disa koncepte dhe mendësi që e pengojnë zhvillimin e turizmit në këtë vend. E para është se Saranda është prishur, betonizuar dhe nuk mund të japë më në këtë sektor, dhe e dyta, se për të gjitha këto fajin e ka pushteti vendor apo filanët dhe fistekët. Ndoshta mund të kenë ndikuar dhe pa dyshim që kanë ndikuar edhe këto, por ka ardhur koha që këto mendësi justifikimi ta lëmë mënjanë. Turizmi në Sarandë nuk janë vetëm qyteti dhe pallatet shumëkatëshe të ndërtuara në të. Turizmi në Sarandë është dhe duhet të jetë që nga gjiri dhe kepi i Stillos me plazhe fantastike dhe deri në Borsh. Bregdeti i Sarandës është i mbushur plot me plazhe dhe pamje piktoreske që do t’i kishte zili çdo turist i huaj. Por në shumicën e këtyre plazheve ende nuk ka as rrugë automobilistike për të shkuar e për t’i shijuar. Një pasuri mjaft e madhe e pashfrytëzuar për sektorin e turizmit. Një plazh i “pazbuluar”, i pa frekuentuar, i pa futur në hartën produktit turistik dhe atë ekonomik ,do të ndikonte pozitivisht te hotelieri, te pronari i restorantit, te bari, te peshkatari, te fuqia punëtore, te papunësia, etj. Turizmi është një koncept kompleks që përfshin brenda jo vetëm hotelet dhe ndërtesat e banimit por edhe mjaft anë të tjera të infrastrukturës të cilat e bëjnë më të plotë zhvillimin e kësaj ekonomie. Të njëjtin problem që ne sot e kemi në sektorin e turizmit në Sarandë, fqinjët tanë të Korfuzit e patën në vitet ‘80. Por, sot Korfuzi është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit ndërkombëtar. Vetëm numri i turistëve të huaj në këtë ishull brenda një viti, që ka sipërfaqe më të vogël se rrethi i Sarandës, është i përafërt me numrin e turistëve që ka e gjithë Shqipëria. Dhe, 85 % e turistëve të huaj të Korfuzit shkojnë atje nëpërmjet transportit ajror dhe vetëm 15 % nepërmjet atij detar. Edhe ky ishull ka patur probleme me ndërtimet pa leje. Mirëpo, edhe para viteve ’90, potenciali turistik i Korfuzit ishte pothuajse sa ky potencial që ka rrethi i Sarandës sot. Korfuzi numëron mbi 100.000 shtretër në turizëm dhe mbi 6.500.000 natëfjetje nga turistët e huaj brenda një viti. Ata synojnë të kapin shifrën e 800.000 turistëve vetëm nëpërmjet aeroportit. E përmenda shembullin e Korfuzit, jo thjesht për analogjinë e zhvillimit të turizmit, por edhe për të nxitur ambicien për ta parë më qartë perspektivën tonë turistike. Kjo perspektivë është, jo thjesht teorike, por për Sarandën edhe praktike. Turizmi në Sarandë në një pjesë të madhe vjen nga Korfuzi, të cilin duhet ta studiojmë më mirë dhe ta vëmë në praktikë. Problemi i dytë që doja të theksoja ka të bëjë, jo vetëm me të metat dhe dobësitë e pushtetit lokal, por me konceptimin se si shteti dhe organet e tij e shikojnë zhvillimin e turizmi në këtë zonë. Edhe për këtë problem është shkruar dhe thënë mjaft. Sa më shpejt dhe sa më saktë ta kemi këtë konceptim, do të shtoja këtu edhe bashkëpunimin e shtetit me privatin, aq më shpejt do të kemi rezultate në turizmin e bregdetit të Sarandës. Ky qytet i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim bashkëkohor, për t’u bërë model i zhvillimit turistik, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.

.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.