Përfshirja e Ksamilit në Bashkinë Sarandë, zhgënjim dhe rrënim total

02/11/1616:08

Shperndaje:


ishujt-e-ksamilit-9Megjithëse banorëve  të Ksamilit iu premtua se me përfshirjen në Bashkinë Sarandë investimet dhe mbështetja do të ishte më e madhe, tani që ka kaluar më shumë se 1 vit çdo banor i Ksamilit ndihet i zhgënjyer. Pavarësisht se ishte vota e Ksamilit ajo që i dha fitoren kryetares së Bashkisë Florjana Koka, kryetarja e ka parë Ksamilin gjatë mandatit të saj jo më shumë se 5 herë, edhe këto kanë qenë vizita kortezie dhe jo për tu takuar dhe dëgjuar hallet dhe problematikat e banorëve.
Bizneset në Ksamil janë një kontributor potencial në mbushjen e arkës së Bashkisë Sarandë. Taksat e këtyre bizneseve me përfshirjen në bashkinë Sarandë u rritën me 30-40% në krahasim me taksat që paguanin gjatë kohës që Ksamili ishte njësi administrative më vete. Bizneset e Ksamilit paguajnë mbi 250 milionë lekë të vjetër taksa, ndërsa nga administrimi i plazheve në Ksamil, Bashkia Sarandë vetëm gjatë vitit të kaluar përfitoi mbi 140 milionë të vjetër.
Nga ana tjetër, investimi i vetëm që Bashkia Sarandë ka bërë në Ksamil është bërja e një grope banje !
Edhe në shpenzimet mirëmbajtëse që Bashkia ka shpenzuar në Ksamil, zëri i vetëm është largimi i ujrave të zeza nga kjo gropë banje ! Dhe e gjithë shuma e investuar në më shumë se 1 vit në Ksamil është 55 milionë lekë të vjetër.
Banorët e Ksamilit shprehen tepër të zhgënjyer nga kjo situatë. Banorët shprehen se administratorja e Ksamilit Valbona Oruçi nuk po merret me adresimin e shqetësimeve të tyre. Ajo më shumë sytë i mban nga pjesa e ndërtimeve, pavarësisht se për monitorimin e territorit nga ndërtimet pa leje ka institucione të tjera.
Gjithçka që mund të themi është se Ksamili sot është i harruar. Edhe investimet e kryera në vite nuk po mirëmbahen. Një nga këto investime që po degradon është edhe Sheshi Ugolin, i cili zbukuron edhe pamjen përpara shtëpisë së administratores së Ksamilit, por administratorja Valbona Oruçi nuk e shikon as këtë. Ksamilit i mungon në pjesën më madhe infrastruktura e brendshme, rrugët, trotuaret, ndriçimi, këndet e lojrave për fëmijë dhe ambiente çlodhëse për moshat e treta etj.
Një tjetër problem shqetësues i pushuesve gjatë kësaj vere ishte edhe çmimet abuzive në plazhe, pa lënë mënjanë edhe ndarëset e betonit mes parcelave të plazheve, të cilat përbëjnë edhe rrezik serioz për jetët e tyre, për të cilat institucioni i Bashkisë duhet të marri përgjegjësitë e veta.

Pushuesit që përzgjedhin Ksamilin, çdo herë e më shumë shprehen të zhgënjyer nga degradimi që po i bëhet kësaj Perle të bregdetit shqiptar.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.