Pas akuzave të LSI Sarandë, reagon policia: Nuk shoqëronim persona që blejnë vota

24/06/1722:36

Shperndaje:


Pas akuzave të LSI Sarandë, reagon policia: Nuk shoqëronim persona që blejnë vota. Pas akuzave të LSI Sarandë se policia e Sarandës po shoqëron me furgonë persona që blejnë vota për llogari të Partisë Socialiste, policia ka reaguar me një deklaratë për media.
Akuzat e LSI Sarandë:
Lëvizja Socialiste për Integrim Sarandë, denoncon një rast të frikshëm të blerjes së votës nga kandidati i rilindjes Alket Hyseni.
Në Konispol dhe Sarandë ka shpërthyer blerja e votave nën shoqërimin e furgoneve të policisë.
Kandidatet e rilindjes Alket Hyseni dhe Ramiz Hysi janë në krye të këtij operacioni kriminal.
I bëjme thirrje Ministrit të Brendshem dhe Drejtorit të Policise së Shtetit të marrin urgjentisht masa për të parandaluar këtë veprimtari
Deklarata e Policisë:
Në lidhje me prononcimin e bërë nga Subjekti Politik LSI, dega Sarandë, ku sipas tyre Subjekti Politik PS është duke blerë vota në bashkëpunim me policinë, ju bëjmë me dije se:
Më datë 24.06.2017, DVP Vlorë, konkretisht Komisariati i Policisë Sarandë dhe Delvinë, në bazë të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorit të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe të sigurisë publikë gjatë periudhës zgjedhore, në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë 2017”, duke filluar që në orën 18:00, kanë marrë nën ruajtje qendrat e votimit sipas rregullave proceduriale të procesit zgjedhor dhe në përputhje me ligjin.
Theksojmë edhe njëherë që Policia e Vlorës, Sarandë dhe Delvinë po kryen vetëm detyrat e përcaktuara më sipër dhe përjashtohet nga çfarëdo lloj bashkëpunimi i mundshëm apo mbështjetje të subjekteve të ndryshme politike duke përgënjeshtruar kështu prononcimin e Subjektit Politik LSI, po ashtu edhe të çdo pretendimi tjetër në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, që mund të ngrejë ndonjë subjekt tjetër politik.
Konkretisht, furgoni i policisë që u përmënd të prononcim, ka kryer shpërndarjen e efektivëve të përcaktuar për kryerjen e shërbimit të ruajtjes së qendrave të votimit dhe më pas është parkuar sipas planizimit larg QV, në Shkallë të Konispolit.
Policia e Vlorës u bën thirrje subjekteve zgjedhore të mos adresojne akuza të pabaza ndaj Policisë së Shtetit, duke shprehur ndërkohë gatishmërinë për të ofruar çdo informacion të nevojshëm që i ndihmon transparencës.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.