Nis të funksionojë Forumi Qytetar

17/12/1511:34

Shperndaje:

Nis të funksionojë Forumi Qytetar

Pas riformatimit të bërë, Forumi Qytetar i Bashkisë Sarandë është mbledhur në takimin e parë të rrugëtimit të tij. Në këtë mbledhje të drejtuar nga Kryebashkiakja Florjana Koka, Forumi Këshillimor Qytetar është njohur i pari me nismën për PPV (Plani i Përgjithshëm Vendor). Anëtarë të këtij Forumi janë perzgjedhur ndër qytetarët me aktivë dhe me vizion e të shqetësuar për problemet komunitare. Pas falënderimit për praninë në takim, Kryetarja e Bashkisë Florjana Koka u tha atyre se “Dua të jeni bashkëudhetarët e mi në këtë rrugëtim përgjegjësi.

Forumin qytetar, u shpreh Koka, e konsideroj një detyrim moral ndaj qytetarëve të Sarandës për të patur sa më shumë mendje të mençura që ndihmojnë qeverisjen, për të konsultuar projektet dhe vendimet e rëndësishme që ka përpara Bashkia e Sarandës. Ju, iu drejtua kreu i Bashkisë Forumit, jeni nga qytetarët më të mirë, nga ata njerëz të rëndësishëm, të cilët kanë jo vetëm aftësinë dhe dijet për ta bërë këtë gjë, por kanë edhe dëshirën e vullnetin për ta parë e për ta bërë qytetin mirë.


Ky ishte takimi i parë, por do ketë shpesh të tillë. Të pranishmëve në takimin e Forumit iu prezantua nisma e marrë për hartimin e planit të përgjithshëm vendor, si akt i parë i një procesi të gjatë me pjesëmarrje qytetare. Nisma në vetvete nuk është plani, u shpreh Koka, por çelja e derës për të nisur punën për planin e përgjithshëm rregullues, zhvillimor urbanistik dhe strategjik të Bashkisë së re të Sarandës. Ky plan synimet i ka shume ambicioze që të bëhet deri në pranverën 2016.

Produkti do të jetë i Bashkisë Sarandë, por i asistuar nga studjo fituese, pasi procesi është duke iu nënshtruar tenderimit ndërkombëtar që është drejt mbylljes për 25 Bashki të tjera. Bashkia Sarandë është pjesë e të njëjtit lot të këtij tenderimi, së bashku me Bashkinë e Vlorës, Himarës dhe Konispolit. Forumi qytetar do të jetë nga të parët që do të duhet të mblidhet sa herë do të shihet e nevojshme për të këshilluar çështje që do dalin në proces, sikurse do të bëhet edhe me grupet e tjeta të interesit.

Asistoi dhe foli edhe Laureta Memo, përfaqësuese e projektit PLGP të USAID-it, si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Mjaft diskutime u bënë nga anëtarë te Forumit Qytetar të riformatuar, për përmirësimin e punës për infrastrukturën e qytetit, për investim serioz në furnizimin me ujë, për mjedisin, tokat, për lehtësira në ndërtim e strehim, për taksat që do të aplikohen etj.

Në këtë takim të parë të Forumit qytetar u zgjodhën me votim të hapur edhe dy kordinatorët, përkatësisht Ibrahim Barjami për Sarandën dhe Besnike Abedini për Ksamilin. Në emër të forumit ata nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi të vazhdueshem mes Forumit dhe Kryetares së Bashkisë, zonjës Florjana Koka.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.