Kreu i Bashkisë Finiq Leonidha Kristo: Kemi vjelur nga qytetarët dyfishin e taksave

26/10/166:06

Shperndaje:


leonidha-kristo1 vit pas marrjes së mandatit si kryetar i bashkisë Finiq, Leonidha Kristo në një intervistë Birn Albania flet për punën e tij dhe sfidat e të ardhmes.
Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Finiq?
Gjatë fushatës elektorale kemi premtuar se me organizim të mirë do të menaxhojmë më mirë burimet financiare të zonës, që janë taksat e ndryshme nga pasuritë komunale, biznesi dhe toka bujqësore. Edhe sot, pas një viti, kemi disiplinuar shfrytëzimin e kullotave dhe pyjeve duke kontrolluar çdo pëllëmbë nga dëmtuesit dhe keq shfrytëzuesit tradicionalë.
Meqë bashkia e jonë u ndërtua me bashkimin e pesë ish-komunave, një rendësi të veçantë i dhamë eliminimit të defekteve dhe borxheve të ndryshme të trashëguara apo të lindura gjatë fushatës. Për këtë, kemi krijuar një sistem elektronik ku janë pasqyruar të gjitha borxhet e komunave, por edhe të qytetarëve të cilat shlyhen në vijimësi jo vetëm si detyrim ligjor, por edhe si angazhim qytetar. Borxhi prej 57 milion lekësh ndaj OSSHE është ulur në 10,6 milion. Është dyfishuar vjelja e taksave. Së dyti, kemi vënë si objektiv përfundimin e procesit të ndarjes përfundimtare të tokës në disa fshatra dhe certifikimin e pronave individuale të përfituara nga ligji 7501, por edhe hipotekimin e pronave komunale të cilat janë transferuar te njësia jonë me ligjet përkatëse.
Në mbështetje të nr. 994, datë 9.12.2015. për procedurën e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, është ngritur zyra e verifikimit të titujve të pronësisë dhe në bashkëpunim me grupin e topografëve dhe inxhinierëve në muajt në vazhdim do të fillojë procesi në fjalë.
Së treti, meqë zona jonë është shumë e hapur dhe infrastruktura ekzistuese është tejet e rrënuar, ne si bashki vepruam menjëherë duke ndërhyrë në sezonin e dimrit për sistemimin e disa prej rrugëve kryesore si ajo Dermish-Dhivër-Cerkovicë dhe Livadhja-Gravë, Ripes duke përdorur mjete të huazuara nga bashkia Dropull apo me ndihmën edhe të mekanizatorëve të zonës. Së shpejti do të blejmë makineritë tona si për mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe për përballimin e situatave emergjente në territorin tonë. Me fondet shtetërore vazhdon procedura e tenderimit të ujësjellësit Memoraq-Dermish si dhe rruga Dermish Dhivër.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Në kuadër dhe të detyrimit ligjor për transparencën, bashkia jonë është në përfundim të faqes se saj të internetit me rubrika që i shërbejnë programit të transparencës. Kemi marrë mendimin dhe vërejtjet e banoreve në disa vepra infrastrukturore Gjithashtu, gjithmonë sipas ligjit, qytetarët marrin çdo ditë informacion nga zyrat përkatëse.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat tona janë të shumta. Ne nga ana jonë do të harxhojmë të gjitha energjitë që të paraqesim te qeveria projekte ambicioze dhe cilësore në të gjitha fushat. Pranë Fondit të Zhvillimit Shqiptar kemi aplikuar për dy projekte të mëdha për furnizimin e krahinës me ujë të pijshëm dhe të rrjedhshëm, siç është ujësjellësi rajonal Leshnicë-Dhivër-Livadhja dhe shtrirja e rrjetit shpërndarës në fshatrat e tjera nga burimi i Syrit të Kaltër.
Çfarë po bën bashkia Finiq për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë së kësaj krahine?
Për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë së kësaj krahine kemi realizuar këto aktivitete:
-Kemi ftuar në bashkinë tonë të gjithë grupin e MISS ALBANIA 2016, i cili ka vizituar parkun arkeologjik të Finiqit të lashtë si dhe shumë vepra kulti në Dhrovjan dhe nëpërmjet këtij aktiviteti po promovohen në mediat vendase dhe të huaja këto vlera të shkëlqyera të trashëgimisë tonë kulturore.
-Për ruajtjen e traditave të këngës, valleve dhe vlerave të tjera popullore kemi ngritur Grupin Polifonik dhe atë të valleve, duke aktivizuar edhe brezin e ri si nxënësit e shkollave Livadhja, Finiq, Mesopotam me të cilët kemi organizuar koncerte me rastin e festave të fshatrave dhe datat e shënuara historike. Këto koncerte janë organizuar në fshatrat Livadhja, Karahaxh dhe Komat.
-Duke vlerësuar kontributin e Shoqatës së Mësuesve Pensionistë të Minoritetit Etnik Grek, e cila ka ngritur një muze etnografik në Dermish, bashkia ka hartuar një projekt ambicioz për krijimin e ambienteve të përshtatshme për ruajtjen, pasurimin dhe promovimin e objekteve të mbledhura nga këta mësues të nderuar dhe së shpejti do të investohet për godinën e re.
-Grupi i këngëve dhe valleve të zonës ka marrë pjesë në aktivitete jashtë shtetit si në Prevezë të Greqisë.
Në festën Kombëtare të Greqisë u bë parakalimi i nxënësve me veshjet tradicionale të Minoritetit Etnik Grek në zonë.
Bashkia jonë ka aplikuar në kuadër të programeve europiane ndërkufitare për ndërtimin e qendrës kulturore në Livadhja, në të cilën do të ndërtohet një sallë aktivitetesh 250 vendesh, sallë muzeu si edhe bibliotekë.
Gjithashtu në kuadër të këtyre programeve është në përfundim projekti i bashkëpunimit midis bashkisë së Dodonës dhe Finiqit, ku është realizuar vendosja e tabelave treguese, shtrimi i rrugëve brenda parkut arkeologjik si dhe ndërtimi i biletarisë për të krijuar kushte të mira për vizitorët dhe për të shtuar turizmin kulturor të zonës.
Çfarë po bën bashkia për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë?
Për sa i përket bujqësisë, bashkia jonë ka trashëguar nga ish-komunat shumë probleme që kanë të bëjnë në radhë të pare me ujitjen dhe kullimin e tokave. Kjo ka bërë që rreth 60% e sipërfaqes së tokave të mos mbillet. Me shkrirjen e Bordit të Kullimit dhe kalimin e një ekskavatori në inventarin e bashkisë, u punua gjatë gjithë pranverës së këtij viti në drejtim të ujitjes. Konkretisht, u pastruan 30 km kanal me një volum pune prej 28 000 m3, u përmirësua ujitja në 2,000 ha tokë si dhe u zgjerua sipërfaqja e mbjellë.
Përsa e përket blegtorisë, bashkia synon të rrisë kapacitetin kullotës dhe ta përmirësojë atë, pasi gjatë viteve është degraduar. Një masë konkrete është largimi i gjedheve nga kullotat pasi prania e tyre dëmton shumë cilësinë e kullotave. Me buxhetin e ri për vitin 2017 do të programohen investime për sigurimin e ujit nëpërmjet lerave dhe burimeve.
A mund të na jepni një listë me investimet aktualisht në zbatim në bashkinë Finiq?
Bashkia Finiq ende nuk ka përfituar atë subvencion shtetëror që i takon një bashkie që sapo është ngritur mbi gërmadha dhe ende nuk ka zyra për të funksionuar normalisht. Investimet që përmendëm më sipër nuk janë të mjaftueshme për një territor prej 444 km2 dhe 59 fshatra me rreth 40 mijë banorë. Ka probleme të mëdha me ujin e pijshëm, rrugët, energjinë elektrike, infrastrukturën e shkollave apo të qendrave shëndetësore. Bashkia jonë duhet të futet në projektin e madh të qeverisë për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, sepse është një bashki me resurse të mëdha natyrore, me vlera të veçanta kulturore dhe historike dhe mbi të gjitha është bashkia me shumicë absolute minoritare.
A ka bashkia Finiq aktualisht shërbim të mbledhjes së mbeturinave? Nëse po, a mund të na jepni disa të dhëna mbi numrin e mjeteve dhe njerëzve të angazhuar në këtë proces si dhe kostot e përgjithshme të shërbimit të pastrimit?
Bashkia Finiq këtë shërbim e ka ngritur në fillim të vitit 2016 me miratimin e strukturës dhe buxhetit të ri. Aktualisht, funksionon sektori i pastrimit me rreth 10 punëtorë. Kemi marrë me qira një mjet privat, por njëkohësisht kemi aplikuar në projektin rajonal ndërkufitar për blerjen e një makine të re pastrimi si dhe një numër të konsiderueshëm koshash. Deri tani kemi marrë dhuratë nga një biznesmen nga Janina 80 kosha, të cilët janë shpërndarë nëpër qendra. Synojmë që çdo fshat të pajiset me këtë bazë materiale dhe njerëzit të ndërgjegjësohen se çështja e pastrimit është çështje e të gjithëve dhe jo vetëm e strukturave lokale. Gjatë kësaj vere, ku fluksi i emigrantëve ishte i madh, pastrimi i rrugëve dhe i qendrave të fshatrave u bë me aksion duke angazhuar edhe punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.