FRPD: Administrata mbushur me pensionistë, të rinjtë arratisen nga Saranda

08/12/179:56

Shperndaje:


Kryetari i FRPD Sarande Jolio Dine ka dale sot ne Diten Kombetare te Rinise ne nje deklarate per media
Deklarata:

 

27 vite pas 8 dhjetorit të famshëm, historia risjell kujtimet, ndërsa realiteti aktual na bën të thërrasim fort për një 8 dhjetor të dytë, me po të njëjtën forcë e ideal.
Flas sot si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratikë të Sarandës, por mbi të gjitha si i ri e si bir i këtij qyteti. E kam detyrim moral ndaj gjithë të rinjve, por edhe ndaj prindërve të tyre e gjithë shoqërisë, të ngre zërin për situatën e rëndë që po kalon Saranda. Prej 3 vitesh, gjithë zona që përfshin Bashkitë Sarandë, Konispol e Finiq, po vuan eksodin masiv të të rinjve drejt emigracionit. Dhjetra familje raportojnë largimin pa kthim të fëmijëve drejt Gjermanisë, Anglisë e vendeve skandinave. Disa familje, shumica prej të cilave në lagjen nr.1 të qytetit, raportojnë largimin jo vetëm të një, por të gjithë brezit të ri brenda tyre, drejt emigracionit. E njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë Konispol, e sidomos në fshatin Shalës. Llotaria amerikane tregon ashiqare dëshirën e madhe të të rinjve për t’u larguar nga Saranda. Në vetëm një nga pikat kryesore të aplikimit për llotarinë amerikane në qytetin e Sarandës, rezulton se për vitin 2017 kanë aplikuar 295 shtetas, nga të cilët 191 janë të rinj të moshës 17-35 vjec, ose rreth 65 % e totalit.
Kjo situatë vjen si pasojë direkte e krizës së thellë që është zhytur shoqëria jonë nga keqqeverisja. Në Sarandë, shumë biznese janë mbyllur e shumë të tjera punojnë vetëm gjatë sezonit turistik. Punësimi në administratë, është kthyer në një mision të pamundur, ca prej politikave partiake e ca prej faktit që në shumë institucione të qytetit, vazhdojnë të jenë ende të punësuar, persona që duhet të kishin dalë prej kohësh në pension, por mbahen për shkak të interesave të ngushta politike, ekonomike e nepotike duke i prerë kështu cdo fije shprese një të riu.
I bëj thirrje përfaqësuesve në organet e qeverisjes lokale e qëndrore, drejtuesve të institucioneve të qytetit e gjithë faktorëve të tjerë politikë, të ndërhyjnë sa më shpejt për shpëtimin nga plakja të Sarandës. Ka ardhur koha të mendojmë më shumë për të ardhmen, sepse kjo i kalon kufijtë e së majtës dhe së djathtës, por është një thirrje kombëtare për një Shqipëri më të mirë, për një Sarandë më të mirë.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.