Fillon aksioni për bllokimin dhe sekuestrimin e lodrave të rrezikshme për fëmijët

13/02/2010:38

Shperndaje:


Rrugëtimi i lodrave dhe sendeve që hyjnë në vendin tonë jashtë parametrave të sigurisë, mungesa e markimit CE dhe këshilla: si duhet të mbrojmë fëmijët nga këto produkte me elementë kancerogjenë

Rreth 13 mijë lodra, me substanca toksike dhe kancerogjene, të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve janë asgjësuar. Ky akt është marrë pas përgjigjes së ardhur nga laboratori italian, ku janë dërguar edhe mostrat e disa sendeve që sipas inspektorëve rezultojnë dukshëm të dyshimta. Ditën e djeshme është bërë me dije se Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) shkatërroi 13 mijë lodrat e rrezikshme për fëmijët, të cilat ishin të bllokuara. Lodrat janë për kategorinë e fëmijëve të moshës 0 – 36 muaj dhe thuhet se mbartnin substanca toksike, elementë alergjenë, mutagjenë dhe kancerogjenë, duke u bërë rrezik real për jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Këto lodra u bllokuan nga ISHMT, pas inspektimeve të kryera në subjektet e importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të produkteve lodra, gjatë periudhës nëntor 2019 – Janar 2020!

Bllokimi i produkteve lodra nga ana e ISHMT erdhi pas konstatimit se ka pasur substanca toksike në nivele tepër të larta të përbërësve të plastikës dhe metaleve të rënda, ku përmendim: ftalatet, boronin, plumbin, etjj. Testet laboratorike janë kryera në laboratorë të akredituar në Itali pasi në vendin tonë nuk eksiton një i tillë për shkak se sipas të dhënave që vijnë nga ky inspektorat kostoja është shumë e madhe dhe shteti ende nuk e ka parë të arsyeshme të paguajë për të patur një laborator të tillë.

Reagimi zyrtar i ISHMT-së!

Lodrat kanë qenë jashtë standardit, nuk kanë qenë në përputhje me direktivën europiane të lodrave dhe legjislacionin shqiptar, për sa i përket testeve fizike dhe mbartin rrezik të lartë për kategorinë e fëmijëve të moshës 0 – 36 muaj. Lodrat kanë pasur mungesë të markimit CE dhe dokumentacionit përkatës nga prodhuesi i produktit, që provon se lodra është në përputhje me standardet europiane të sigurisë dhe nuk rrezikon jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Lodrat janë raportuar nga sistemi i shkëmbimit të shpejtë të informacionit (RAPEX) i Komisionit Europian, si produkte me përmbajtje të lartë të elementëve toksikë, kancerogjen, etj. Lodrat janë raportuar nga vendet e rajonit, si produkte të cilat sipas testeve laboratorike rezultojnë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Testimet laboratorike të kryera në mostrat e lodrave të marra në 34 importues i janë vënë në dispozicion operatorëve ekonomikë brenda afateve ligjore të parashikuara në ligjin për inspektimin. Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut u bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në tregun e importit dhe tregtimit të produkteve lodra, që të zbatojnë legjislacionin, i cili është tërësisht i implementuar dhe në përputhje me standardet europiane për prodhimin, importin dhe tregtimin e produkteve lodra.

Por çfarë ndodh realisht në vendin tonë me këto produkte?

Ndonëse për mbrojtjen e konsumatorit ekziston një ligj i miratuar gati një dekadë më parë, rrallë është parë të flitet për të. Kanë qenë sinjalet që kanë ardhur nga Europa, e kryesisht nga sistemi i përpunimit të të dhënave në komisionin Europian që quhet RAPEX që ka lajmëruar autoritetet përgjegjëse për të parë dhe ndërhyrë në një mori lodrash që vijnë nga vendet të ndryshme por që nuk kanë markimin e përcaktuar CE. Këto lodra, që përkojnë me sende që iu blihen fëmijëve në moshë fare të papërgjegjshme, kanë rezultuar me probleme që në vitin 2019. Por meqë në portet tona, aty ku edhe bëhet hyrja e mallit nuk ekzistojnë kapacitete e duhura për të kryer ekzaminimet e mostrave, atëherë malli hyn në tregun shqiptarë, shpërndahet si në rastin konkret dhe më pas inspektorët që presin rezultatet nga Italia ndërhyjnë duke iu kërkuar subjekteve tregtare nxjerrjen e mallit jashtë tregu. Por a është e mundur të pastrohet gjithë tregu nga ky mall i rrezikshëm dhe kërcënues? Sigurisht që jo. Autoritetet zyrtare e pranojnë se e kanë të vështirë ta bëjnë parandalimin për sa kohë malli mund të hyjë jashtë vendeve që kërkojnë dhe zbatojnë markimin e mallit. Ndërkohë mungojnë jo vetëm laboratorët por edhe kapacitetet njerëzore. Në fakt inspektorati ishte parashikuar të ngrihet në çdo bashki për të parë dhe verifikuar të gjitha ankesat e qytetarëve shqiptarë nga i gjithë vendi, por deri më tani ka qenë e pamundur. Për pasojë është i pamundur edukimi i konsumatorit me vendin ku mund të adresojnë shqetësimet e tyre.

Nikoleta Kovaçi, Fjala.al


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.