Projekti 233 milionë lekë për pamjen e re të Himarës

14/12/1515:03

Shperndaje:

Projekti 233 milionë lekë për pamjen e re të Himarës

E gjithë Himara është kthyer në një kantier pune, ku me financim prej rreth 233 milionë lekësh të qeverisë, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka nisur zbatimi i projektit për rikualifikimin e plotë urban dhe peizazhistik të shëtitores buzë detit, sheshit qendror, që do të vazhdojë me unifikimin e fasadave të ndërtesave dhe krijimin e një qendre administrative tipike të një qyteti mesdhetar. Përgjatë vijës Spile-Himarë dhe në 9880 metra katror sipërfaqe po ndërmerren ndërhyrje arkitekture peizazhi, zhvillimi urban dhe rekreacioni. Shëtitorja ekzistuese po transformohet me vijën natyrale të terrenit që lidh detin me ndërtesat në vijën e parë të bregut.

Projekti ruan karakteristikat e zonës, duke përdorur materiale që u afrohen elementeve natyrale të formimit të plazhit. Në projekt parashikohet të mbillen gjithashtu pisha mesdhetare. Në pjesën veriore të shëtitores do të instalohet edhe një port turistik. “Është investim shumë i rëndësishëm, sepse i jep pamjen përfundimtare qytetit të Himarës. Kjo është faza e parë e shëtitores, rreth 500 metra distancë. Ka edhe një fazë të dytë me fasadat, sheshin e qendrës së qytetit dhe me portin, për ta kthyer në një port turistik; dhe me rrugën për ta lidhur me rrugën kombëtare. Kjo do t’i japë hov të madh edhe zhvillimit të biznesit në qendrën e qytetit. Kjo është një pedonale dhe do të jetë njëkohësisht edhe një hapësirë që qytetarët ta shijojnë bregun e detit”, e vlerësoi investimin, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Projekti 233 milionë lekë për pamjen e re të Himarës

Ndërhyrjet e aplikuara si një e tërë do të unifikojnë panoramën e qytetit të Himarës, duke i dhënë fund kështu, kaosit urban shumëvjeçar. Përveç krijimit të një hapësire të re bashkëkohore për qytetin, ndërhyrjet tërësore do të fuqizojnë potencialin turistik të Himarës dhe turizmit shqiptar, si dhe do t’i japin zhvillim të ri aktivitetit ekonomik dhe tregtar. Ripërtëritja urbane që ka nisur do të vazhdojë edhe me plazhet e tjera të Bregut si Dhërmiun, Jalën, Qeparoin dhe Vunoin. “Pas 20 e kusur vitesh i jep mundësinë Himarës që të jetë jo vetëm vendi ku njerëzit vijnë sepse vijnë, por edhe vendi ku marrin shije krejtësisht tjetër dhe hap rrugën e një ripërtëritjeje edhe urbane, edhe mjedisore, edhe shpirtërore, pasi u godit keq shumë edhe Himara në identitetin e vet dhe u mbulua nga pluhuri e balta estetike e bathorizimit.

Kjo gjë e shkatërroi rëndë dhe e privoi për vite të tëra nga shfrytëzimi i potencialeve të veta. Ajo që është më e rëndësishme është prapë pjesë e një përshkallëzimi të kësaj ripërtëritjeje që do të vazhdojë me sheshin e bashkisë, që faktikisht do t’i japë Himarës një qendër administrative si të çdo qyteti të vogël, por të rëndësishëm turistik të Mesdheut, do të vazhdojë me plazhet e Dhërmiut e të Jalës që do t’i shtohen hartës, sëbashku me plazhin e Qeparoit. Më tej do të vazhdojë me kthimin në identitet të Vunoit dhe Dhërmiut të vjetër. Pra, një paketë që brenda vitit të ardhshëm do të na çojë në një tjetër situatë për nga pikëpamja e rivlerësimit të potencialit turistik edhe për nga pikëpamja e kurimit të sëmundjeve të rënda që goditën edhe Bregun Jon, për fat të keq, të një barbarie urbane të patolerueshme”, u shpreh kryeministri Rama, pasi inspektoi çdo kantier pune në qytet.

Në Qeparo kanë nisur punimet për vazhdimin e shëtitores, segmenti i parë i të cilës përfundoi para nisjes së sezonit turistik të këtij viti. Si e tërë, shëtitorja shtrihet në të gjithë vijën e plazhit të Qeparoit deri në pikën fundore të tij, me një gjatësi prej 2 kilometrash dhe gjerësi nga 5 deri në 7 metra. Edhe në ndërtimin e saj po ruhen karakteristikat e zonës, me blloqe guri të çrregullt për muret mbajtëse. Shëtitorja do të vishet me pllaka guri, ndërsa konturet përgjatë saj janë konceptuar në trajtë bedenash.

Gjelbërimi dhe ndriçimi dekorativ janë elementet e tjera të projektit. Epiqendër e shëtitores do të jetë sheshi panoramik nga ku do të shihet gjiri i Qeparoit dhe ku do të vendosen edhe shërbime të ndryshme. Destinacioni i përmbylljes do të jetë moli i varkave të peshkimit dhe jahteve turistikë. “Vazhdimi i shëtitores së Qeparoit, një nga investimet më të mëdha në Himarë, që do t’i japë një zhvillim kësaj zone, por në përgjithësi të gjithë bregdetit, është mikpritur nga të gjithë qytetarët e Himarës. Me këtë vrull që kemi marrë, kërkojnë edhe të gjitha fshatrat e tjera shëtitoret e tyre, se çdo fshat ka bregdetin e vet dhe secili do shëtitoren e tij”, u shpreh për projektin, kryetari i Bashkisë Himarë.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.